LAJMI I FUNDIT:

Shoqata e Bankave të Kosoves shënon Ditën Botërore të Kursimeve

Shoqata e Bankave të Kosoves shënon Ditën Botërore të Kursimeve

Duke u bashkëngjitur në aktivitetin mbarëbotërorë, Shoqata e Bankave të Kosovës përmes aktiviteteve të saja edukativo-arsimore me fëmijë shënoi Ditën Botërore të Kursimeve. Me moton “vepro mençur, kurse sot”, Shoqata e Bankave të Kosovës bëri hapjen e Ditës Botërore të Kursimeve në shkollën fillore “Qamil Batalli” në Prishtinë.

Në fjalimin e tij hyrës drejtori i shkollës Liridon Maliqi iu drejtua nxënësve duke i inkurajuar ata që të kursejnë.

Ndërsa në fjalimin e tij drejtori i Shoqatës së Bankave të Kosovës Petrit Balija theksoi rëndësinë që edukimi financiar ka për krijimin e mirëqenies për të gjithë shoqërinë.

Balija inkurajoi fëmijët që të fillojnë të kursejnë dhe jo vetëm paratë, por edhe mjedisin, pajisjet e shkollës etj.

Dita e Kursimeve ka filluar të shënohet shumë vite më parë në Milano, dhe kishte për qëllim që rritë vetëdijen e popullatës rreth rëndësisë së kursimit dhe menaxhimit të parasë.

Edukimi financiar është jashtëzakonisht I rëndësishëm për të gjithë, pavarësisht moshes, ndërsa të marrësh një edukim financiar qysh nga mosha e re është një përparësi e madhe. Duke pasur parasysh rëndësinë e edukimit financiar Shoqata e Bankave të Kosovës në kuadër të aktiviteteve të saj për përgjegjësi shoqërore organizon aktivitete të tilla me qëllim që të krijohet kultura e kursimit e resurseve të cilat i kemi në dispozicion. Qëllimi kryesor është fuqizimi i gjeneratave të reja, që të marrin njohuri ekonomike-financiare nga ekspertë të sistemit bankar dhe rrjedhimisht të jenë të përgjegjshëm me financat e tyre, duke arritur të kursejnë për planet e tyre në të ardhmen.

Roli i sektorit bankar për të ndihmuar në edukimin financiar të gjeneratave të reja është jashtëzakonisht i rëndësishëm duke kontribuar kështu edhe në krijimin e një shoqërie e cila ka njohuri të mira për paranë, menaxhimin e parasë dhe financave personale.

Përveç ligjëratës në shkollën fillore “Qamil Batalli”, Shoqata e Bankave të Kosovës do të bëjë shpërndarjen e librit për Edukim Financiar dhe material shkollor për nxënësit e shkolles fillore “Dituria” në Shkabaj si dhe nxënësit e organizates “The Ideas Partnership” në Fushë Kosovë.

Ky aktivitet është organizuar nga Shoqata e Bankave të Kosoves me përkrahjen e bankave anëtare: Banka Ekonomike, Banka Kombëtare Tregtare, Banka për Biznes, IsBank, NLB Prishtina, ProCredit Bank, Raiffeisen Bank, TEB Bank dhe Ziraat Bank. /Telegrafi/