Shoferi i kamionit hodhi mbeturina në hapësirë private, Komuna e Vushtrrisë i shqipton gjobë 500 euro

Sot është raportuar se një shofer i kamionit ka hedhur mbeturina në fshatin Prelluzhë të Vushtrrisë, në një hapësirë private.
Drejtoria për Inspektime në Komunën e Vushtrrisë pas verifikimit të rastit ka shqiptuar gjobën në shumën prej 500 euro, shkruan Telegrafi.
“Hedhja e mbeturinave është e kundërligjshme dhe askush nuk tolerohet që të bëjë ndotjen e ambientit duke hedhur mbeturina”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se gjobitja është bërë duke u bazuar në Rregulloren për Shërbimet Publike Komunale, e cila parasheh që është e ndaluar hedhja e mbeturinave dhe materialit tjetër fundërrinor në shtretërit e lumenjve, përrenjve, në rrugë dhe në sipërfaqe tjera publike dhe kudo tjetër jashtë deponisë regjionale.
“Krijimi i një ambienti të pastër është një ndër prioritetet e punës së kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, për realizimin e të cilit në vazhdimësi janë ndërmarrë aksione pastrimi e eliminim i deponive ilegale”, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/













































