Shkupi i jep përparësi Rusisë para BE-së

Kjo shihet qartë në nenin 9 të Marrëveshjes që Qeveria e Maqedonisë ka nënshkruar me federatën ruse për bashkëpunimin për ndërtimin e gazsjellësit. Me këtë nen, Maqedonia anashkalon detyrimet që ka për anëtarësim apo si anëtare e BE-së që kanë të bëjnë me rregullimin e tregut të lirë, edhe në këtë lëmi, transmeton portali Nova në Shkup.
Sipas nenit 9, investimi kapital rus për gazsjellësin anashkalon çdo kufizim që mund të dalë nga anëtarësimi i Maqedonisë në BE. Në rast se do të ndërtohej ky gazsjellës, Maqedonia nuk është e detyruar në shumë raste të zbatojë direktivat evropiane. Pra, sipas marrëveshjes, kufizimet për investitorët e huaj në rast se do të aplikoheshin duke respektuar direktivat e BE dhe marrëveshjet rajonale, nuk do të jenë të vlefshme për gazsjellësin rus, transmeton INA.
Ky nen nga ekspertët për çështje ndërkombëtare dhe të sigurisë komentohet si problematik dhe që mund të shkaktojë implikime serioze politike në relacionet me BE-në. /Telegrafi/















































