LAJMI I FUNDIT:

Shkrimtari Stefan Çapaliku promovon veprën e tij me dy vëllime “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” në Prishtinë (Foto)

Shkrimtari Stefan Çapaliku promovon veprën e tij me dy vëllime “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” në Prishtinë (Foto)

Shkrimtari i njohur, Stefan Çapaliku, ka promovuar romanin e tij më të ri me dy vëllime, “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”. Promovimi u bë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, në Prishtinë.

Stefan Çapaliku

Të pranishëm në promovim ishin shumë prej figurave të njohura të artit dhe letërsisë në vend, si dhe përfaqësues të mediave.

Promovimi u hap nga Agim Selimi, dekan i Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, i cili fjalimin e mbajtur e nisi me falënderime ndaj autorit dhe mikut të tij Çapaliku, që solli këtë vepër për artdashësit dhe të apasionuarit e letërsisë në Kosovë.

Pamje nga promovimi i librit ,”Secili çmendet simbas mënyrës së vet” (nga e majta: Agim Selimi, Frano Kulli dhe Stefan Çapaliku)

Ndërkohë, pranë tij gjendej Frano Kulli, botuesi i veprës që ka dalë në shitje nga Enti Botues “Gjergj Fishta” në Tiranë. Ai në pika të shkurtra foll rreth kësaj vepre, duke cituar qytetin e Shkodrës, i cili njëherësh njihet edhe si djepi i kulturës shqiptare dhe se dashuria e shqiptarëve të Kosovës ndaj këtij qyteti ka qenë përherë e pakursyer.

Në foltoren promovuese të librit foli edhe Agron Shala, i cili tha se Çapaliku, si në vëllimin e parë, ashtu edhe në të dytin të romanit autobiografik, dëshmon se ka kujtesë të shkëlqyeshme. Por, atë kujtesë di ta bartë te lexuesi me një stil unik shkrimi. Thjeshtë, bukur, si pakkush.

Agron Shala gjatë fjalimit të tij

“Derisa për nobelistin kolumbian Gabriel Garcia Marquez kanë thënë se imagjinata e tij prodhon rrëfime me imazhe. Këto imazhe i sheh secili që lexon edhe veprat e Çapalikut”, ka thënë Shala.

Ndërkohë, vet Stefan Çapaliku mori fjalën në fund, për të falënderuar gjithë të pranishmit për prezencën e tyre, ndërsa në retrospektivë kujtoi shkurt kohën e fëmijërisë së tij dhe të studimeve kur kishte arritur të kishte në dorë dy librat e parë nga Shtëpia Botuese “Rilindja” në Prishtinë.

Ag Apolloni gjatë fjalimit të tij

“Për herë të parë më 1985, si student, kisha në dorë kompletet e Migjenit, De Radës, e shumë shkrimtarëve të tjerë shumë të rëndësishëm shqiptarë”, ka thënë ai, duke cekur një moment ndryshe kontakti me Kosovën. “Ato botime kanë qenë frymëzim shumë i madh për mua. Madje, një prej librave që kisha blerë e që më la përshtypje – diçka që sot mund të tingëllojë qesharake – ishte ‘Morfologjia e një fushate’ e Rexhep Qosjes. E them këtë veç sepse libri ishte i ngarkuar mbi një debat, mbi një dialog, e ne në komunizmin e Shqipërisë nuk e imagjinonim se si mund të bëhej një debat publik”.

Shkrimtari dhe dramaturgu, Stefan Çapaliku

“Pra, dua të them sa më shumë që të gërmosh në kujtesë,  aq më shumë zë lidhje  të forta me Prishtinën. Kjo e shton dozën e kënaqësisë sime të të qënit sot pranë jush”, shtoi dramaturgu dhe shkrimtari i madh shqiptar.

Vëllimi i parë i veprës “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, shtjellon ngjarjet në qytetin e Shkodrës, qyteti në të cilin autori Çapaliku ka kaluar fëmijërinë, duke shënuar kështu kontributin e tretë të rëndësishëm mbi qytetin – pas është “Rrethimit të Shkodrës” ttë Marin Barletit botuar më 1504 dhe “Shkodrës së rrethueme” të Dom Ndoc Nikajt në vitin 1913.  ndërsa vepra e tretë me radhë cilësohen këto dy vëllimet që tani i kemi në dorë.

Stafan Çapaliku

Ngjarjet e vëllimit të dytë të romanit, pos Shkodrës janë vendosur edhe në Tiranë e në Tropojë. Ky vëllim ka 29 tregime dhe është ndarë në tri pjesë: “Fundi i tunelit dukej i errët dhe i pafund” dhe “Midis të metave kemi edhe dobësi”. Pjesa e tretë, “Sistemi ndërroi si të ishte një fletë libri”, është veç fletë e zbrazët që duhet ta mbushin ata që e dinë se si ndodhi kjo!

Që të dy vëllimet, të projektojnë në mendje imazhe si të neorealizmit italian – plotë shpirt e plotë zymtësi. Çapaliku merret me njerëz të rëndomtë jo me detajet politike të kohës. Por, si një mjeshtër i rrallë i fjalëve, realiteti i viteve ’60, ’70 e ’80 të shekullit të kaluar, kuptohet më mirë te romanet e tij se në shumë libra të historisë. /Telegrafi/