Historiani kroat, Milan von Šufflay (1879-1931), lindi në Llepogllavë, në Jugperëndim të Varahddinit, ndërsa studioi historinë dhe filologjinë klasike në Universitetin e Zagrebit. Në vitet 1904-1908 punoi për Muzeun Kombëtar në Budapest dhe nga viti 1912 e deri më 1918 ishte profesor i historisë mesjetare në Zagreb. Për arsye politike, në vitin 1918 Šufflay u detyrua të dilte në pension të parakohshëm dhe më pas jetoi si botues në Zagreb. Ai shpeshherë ishte në konflikt të hapur politik me Mbretërinë e re të Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve dhe, në vitin 1921, u dënua me tre vjet e gjysmë burg. Në vitin 1928, iu ofrua Katedra e Historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Budapestit, por qeveria në Beograd nuk e lejoi ta pranonte këtë post. Ai u vra nga dy agjentë serbë të policisë, në vitin 1931. Ndër botimet e Šufflayt, me interes për shqiptarë, mund të përmenden: Povijest severnih Arbanasa [Historia e shqiptarëve të Veriut], Beograd 1924; Städte und Burgen Albaniens hauptsächlich während des Mittelalters [Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë, kryesisht gjatë Mesjetës[, Vjenë 1924; dhe Srbi i Arbanasi: njihova simbioza u srednjem vjeku [Serbët dhe Shqiptarët: Simbioza e tyre gjatë Mesjetës], Beograd 1925; si edhe artikuj të shumtë. Së bashku me Ludwig von Thallóczyin dhe Konstantin Jirečekun, ai botoi koleksionin e rëndësishëm me dy vëllime të dokumenteve historike shqiptare me titull Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia [Akte dhe çështje diplomatike që ilustrojnë Mesjetën në Shqipëri], Vjenë 1913, 1918, duke mbuluar vitet 344 deri më 1406 pas Krishtit. Ky artikull u botua për herë të parë në një gazetë të Vjenës në nëntor të vitit 1912, në një kohë kur forcat serbe kishin pushtuar Kosovën dhe kishin zënë pjesën më të madhe të Shqipërisë. Në të Šufflay paraqet një tablo të Shqipërisë në Mesjetë, me synimin për të treguar se Serbia nuk mund të kishte asnjë pretendim historik mbi vendin.

Nga: Milan von Šufflay[1] Përktheu (nga gjermanishtja) në anglisht: Robert Elsie
Përktheu (nga anglishtja) në shqip: Agron Shala


Për të justifikuar pretendimet serbe ndaj Shqipërisë, në veçanti ndaj porteve Durazzo [Durrës] dhe Alessio [Lezha], politikanët serbë sjellin para së gjithash argumentet historike. Sipas Pašićit dhe Gruićit, Shqipëria nuk ka të drejtë për autonomi, malësorët shqiptarë janë në të vërtetë serbë, Shqipëria i përkiste vetëm Perandorisë së Dushanit, dhe Durrësi, Lezha dhe San Giovanni di Medua [Shëngjini] kanë qenë më parë vetëm porte serbe. Me pak fjalë, e gjithë Evropa duhet të jetë e vetëdijshme se serbët duan vetëm atë pjesë të Shqipërisë që dikur e kishin në pronësi ekskluzive.

Nuk është qëllimi im këtu të shqyrtoj arsyet psikologjike për preferencat ndaj historisë që duket se i kanë politikanët sllavë të jugut, as të analizoj dhe kritikoj justifikimet e çuditshme që sllavët jugorë kanë trilluar për pretendimet e veta historike. Nuk dua gjithashtu të hyj në çështjen e shtrirjes ku historikë duhet të merren parasysh në ndarjen e ardhshme të Turqisë evropiane. Qëllimi i këtyre rreshtave është të japim një pamje objektive të Shqipërisë në Mesjetë (para ardhjes së turqve), në mënyrë që të bëhet e qartë për të gjithë: 1) se serbët nuk janë të vetmit që mund të kenë pretendime historike mbi Shqipërinë, 2) se ka pasur momente në historinë shqiptare që flasin në favor të aneksimit dhe të tjera që flasin në favor të autonomisë shqiptare, 3) se politikanët serbë do të kishin bërë më mirë të mos përmendnin një pretendim historik mbi portin kryesor shqiptar të Durrësit, të cilin ata synojnë ta pushtojnë.

Shqipëria mesjetare dhe moderne nuk mund të përcaktohet në terma të ngurtë gjeografikë. Fillimisht (deri në shekullin XIII), fjala Shqipëri lidhej me një territor të vogël rreth kështjellës së Krujës. Ajo gradualisht u zgjerua për të përfshirë Vlorën dhe malet e Himarës në Jug, dhe qytetet Antivari [Bar] dhe Cattaro [Kotor] në Veri. Në shkrimet historike, Shqipëria u bë më pas një term konvencional për të përshkruar territorin katërkëndësh malor ndërmjet Barit, Prizrenit, Ohrit dhe Valona-s [Vlorë]. Ky është një rajon ku shtresat origjinale etnike (ilirët, trakët) u mbuluan pothuajse plotësisht nga formacionet e reja greke, romake dhe sllave, po si dredhka që shtrihet mbi monumentet prej graniti të një kombi dikur të madh, ilirëve.

Fjala Shqipëri ishte përdorur për të përshkruar qendrën e këtij katërkëndëshi që nga kohët ilire. Kryeqyteti i këtyre fiseve ishte qyteti Albanopolis (i përmendur nga Ptolemeu), nga ku termi u përhap në gjysmën e dytë të Mesjetës si rezultat i zgjerimit të gjerë të barinjve malësorë shqiptarë - në grupe të shpërndara, por etnikisht homogjene, për të krijuar Shqipërinë moderne nga Arbanoni i bizantinëve, Rabani i serbëve, Regnum Albaniae i anzhuinëve dhe Albania e dalmatëve dhe e venedikasve. Ai ishte kryesisht një term etnografik, megjithëse kufiri i tij jugor ishte i vështirë të përcaktohej.

Ky rajon ka qenë gjithmonë një brez par excellence kufitar, një vijë ndarëse midis gjuhëve, feve dhe fuqive politike. Ai ishte një produkt i Lindjes dhe i Perëndimit, një shkrirje e porteve të latinëve dhe të grekëve, ose një bashkim i botës romake dhe bizantine që ishte në kontakt të drejtpërdrejtë me barbarët - shqiptarët autoktonë dhe sllavët në avancim. Këtu hasim prijës të fiseve shqiptare të cilët, krah për krah, mbanin tituj bizantinë si protosevastos dhe sevastos, tituj latinë si comes dhe miles, dhe tituj sllavë si kaznac dhe vojevodë.

Rajoni i Durrësit ishte pika e kontaktit ndërmjet tri gjuhëve mesjetare të administratës dhe dokumenteve zyrtare: latinishtes, greqishtes dhe sllavishtes. Edhe sot, në Vilajetin e Shkodrës gjenden lloj-lloj kostumesh ballkanike: greke, rumuno-bullgare, boshnjako-dalmatine dhe serbo-malazeze. Katolicizmi këtu ishte në një luftë të përhershme me ortodoksinë. Mitropoliti ortodoks i Durrësit merrte pjesë në sinodet e Kostandinopojës, ndërsa sufragani i tij, Peshkopi i Krujës, shërbente në brendësi të vendit si i besuar i Papës - gjatë kryengritjes së princërve shqiptarë kundër mbretit skizmatik të serbëve (1319). Aleancat e dinastive shqiptare shpesh luhateshin mes dy kishave, dhe më vonë mes katolicizmit dhe islamit.

Prandaj, nuk është aspak çudi që në epokën e Bizantit, meqë ky rajon ishte i ndjeshëm ndaj planeve si lindore ashtu edhe perëndimore, Thema e Durrësit [provincë e dikurshme bizantine - shën. i T.] u bë një pikë qendrore për intriga dhe përpjekje ushtarake të ndërmarra kundër sllavëve në Verilindje dhe kundër Italisë. Gjithashtu, për këtë arsye, Shqipëria mesjetare pothuajse gjithmonë shërbeu si një bazë operacionesh për fuqitë perëndimore në sulmet e tyre kundër Bizantit. Normanët dhe napolitanët po ashtu e përqendruan sulmin e tyre këtu. Kur Evropa, nën Papa Gjonin XXII po parashihte një kryqëzatë kundër Palestinës, kryepeshkopi i Tivarit, dominikani Guillelmus Adae - një vizionar i mendimit perëndimor - po hartonte vëzhgime politike në Directorium ad passagium faciendum (1332), në të cilat Shqipëria duhej të kishte një rol jo të parëndësishëm.

Kështu, mbi njëqind vjet para luftës së paharrueshme të Skënderbeut kundër turqve, mendjet e shumë mendimtarëve në Evropë tërhiqeshin herë pas here nga rëndësia strategjike e Shqipërisë. Vetëm në kohën e Skënderbeut, kryengritja e të cilit u ndoq me interes të madh në gjithë Evropën dhe u mbështet madje edhe në mënyrë aktive, njerëzit u bënë më përgjithësisht të vetëdijshëm për rëndësinë e Shqipërisë. Vendi u bë i famshëm për shkak të pozitës së tij gjeografike. Lufta e Skënderbeut ishte një epikë e një brezi kufitar, këngët përfundimtare të së cilës ende këndohen.

Por, Shqipëria është më shumë sesa thjesht një brez kufitar. Ajo është, në fakt, kuintesenca e Ballkanit, një vend që shfaq të gjitha nuancat e veta latine, greke, romake, bizantine, italiane dhe sllave. Këtu ende mund të hasim tipare të lashta që pasqyrojnë përbërjen e hershme etnike të Gadishullit Ballkanik dhe që i dhanë jetë tipareve të përbashkëta të gjuhëve dhe popujve ballkanikë në Mesjetë.

Shumë prej tipareve të përmendura më sipër të Shqipërisë mesjetare gjenden edhe sot në vend - një brez kufitar dhe një kuintesencë e Ballkanit me tipare etnike dhe kulturore që flasin historikisht për autonominë dhe pavarësinë e vendit.

Edhe historia politike e Shqipërisë para-turke na ofron një sërë pikash që mund të interpretohen si bërthama e një shteti autonom ose të pavarur. Së pari, Thema bizantine e Durrësit e shekullit XI, e sunduar nga një Dux, u shndërrua nga venedikasit (1204) në Ducatus Dyrrhachii [Dukati i Durrësit - shën. i T.] dhe nga anzhuinët (rreth vitit 1272) në një Regnum Albaniae [Mbretëria e Shqipërisë - shën. i T.]. Lufta e Skënderbeut e bëri të njohur, në të gjithë Evropën, konceptin e një Shqipërie të pavarur, ndërsa ka tregues se ideja për një Regnum Albaniae ishte ende e pranishme në tokën shqiptare në shekullin XVII.

Së dyti, në shekullin XIII, një dinasti shqiptare (Principatë) u shfaq në dhe rreth Krujës (1200-1250). Ajo vazhdoi për disa breza (Progon, Gjin, Dhimitër, Golem) dhe, ndonëse u nënshtrua (ndoshta vetëm për sytë tanë) nën presionin e fuqive të huaja, ajo u shfaq sërish menjëherë pas rënies së perandorisë serbe dhe mori emra të rinj (Topiajt, Dukagjinët etj.).

Megjithëse duhet thënë, në përgjithësi, se historianët kurrë nuk e panë Shqipërinë e sotme si një shtet të unifikuar politik, është gjithashtu e vërtetë se historia pranon njëkohësisht se ajo i përkiste dy ose tri shteteve më të mëdha të unifikuara, në mënyrë që, nga një këndvështrim historik, asnjë nga fuqitë moderne nuk mund të ketë pretendim ekskluziv mbi Shqipërinë.

Luhatja e sferave të ndryshme të pushtetit, në Shqipërinë mesjetare, mund të kuptohet më së miri duke ndjekur ngritjen dhe rënien politike të qyteteve të veçanta të Shqipërisë. Do të kërkoheshin ndoshta shumë të dhëna për të krijuar një grafik të detajuar të zhvillimeve të tilla. Mjafton të theksohet këtu se Shqipëria e Veriut, me qytetin Scutari [Shkodra], ishte nën sundimin serb, ashtu siç ishte edhe porti i saj goxha i vizituar i Saint Sergius-it, S. Serzi [Shirq] në grykëderdhjen e Boyana-s [Buna], si dhe vendbanimet Antivari, Dulcigno [Ulqin], Svaq, dhe Drivast [Drisht] - nga shekulli XI deri në shekullin XV, në një formë ose tjetër si Regnum Diocliae [Mbretëria e Duklës - shën. i T.], si pjesë e mbretërisë së mbretërve të rinj (reges iuniores) dhe si zotërim i bashkëshortes së mbretit dhe më vonë nën familjen malazeze Balšić [Balshajt - shën. i T.].

Në të njëjtën kohë, Shqipëria qendrore rreth Durrësit (në vitin 1040 qyteti ishte përkohësisht në duart e bullgarëve) dhe Shqipëria jugore rreth Vlorës ishin fillimisht nën sundimin bizantin, pastaj për një kohë të shkurtër (1204 -1213) nën Venedikun, ndërsa më pas nën Despotatin e Epirit që, në vitin 1258, këto qytete ia dha si pajë Manfredit të Sicilisë - derisa në vitin 1272 kaluan nën pushtetin e mbretërve anzhuinë të Napolit. Dushani, mbreti i Serbisë, arriti të pushtonte gjithë brendësinë e Shqipërisë dhe qytetin e Krujës në vitin 1343, si dhe Vlorën dhe Janinën në jug, por vetë Durrësi mbeti në duart e anzhuinëve (atëherë Durrësi ishte nën sundimin nominal të mbretit Lajosh të Hungarisë). Në vitin 1368, Durrëso ra, por jo te serbët, por te dinastia shqiptare e Karl Topisë. Më vonë, megjithëse vetëm për një periudhë të shkurtër, Durrësi ishte në zotërim të armiqve të topiajve - familjes së Balshajve dhe, në vitin 1385, Balsha II mbante titullin Duka i Durrësit. Megjithatë, në vitin 1392, Durrësi iu dorëzua Venedikut jo nga Balsha, por nga Gjergj Topia. Në vitin 1396, dinastia e Balshajve ia ofroi Venedikut qytetet e Shkodrës dhe Drishtit. Republika u mendua për një kohë nëse pranimi i këtyre qyteteve do të shkelte marrëveshjen e saj të paqes me Hungarinë (si intromittendo dicta loca contrafaceremus paci Hungariae).

Lezha, për fatin e hershëm të së cilës dimë pak, luhatej në gjysmën e dytë të shekullit XIV midis sundimit serb dhe shqiptar, por pastaj ra, si Durrësi, në duart e Venedikut, jo nga duart e serbëve, por nga dinastia shqiptare Dukagjini. Më vonë, ajo ishte në zotërim të kastriotëve të cilët nga origjina dhe zakonet nuk ishin aspak serbë.

I vetmi qytet që ra te turqit (1417) drejtpërdrejt nga serbët, si një relike nga koha e Dushanit, ishte Vlora (Medua përmendet pak në burimet para kohës së Skënderbeut, pasi nuk përdorej shumë si port në Mesjetë). I vetmi qytet që realisht nuk i ka përkitur kurrë serbëve ishte Durrësi, porti i  të cilit tani pretendohet nga serbët për arsye historike! /Telegrafi/

__________

[1] Das mittelalterliche Albanien, botuar së pari në Neue Freie Presse, Vjenë, më 28 nëntor 1912, f. 26 dhe ribotuar në Illyrisch-Albanische Forschungen, redaktuar nga Ludwig von Thallóczy, Vëll. 1 (München & Leipzig: Düncker & Humblot, 1916), fq. 282-287. Përkthyer nga gjermanishtja nga Robert Elsie.