LAJMI I FUNDIT:

Shkolla në Raoviq nga 250 nxënës, sot ka vetëm 1 nxënës

Shkolla në Raoviq nga 250 nxënës, sot ka vetëm 1 nxënës

Habibja është nxënësja e vetme e shkollës periferike “Emin Duraku” në fshatin Raoviq të Komunës së Sarajit. Ajo tashmë po ndjek mësimet në klasë të tretë. Pavarësisht se nuk e shoqëron asnjë fëmijë tjetër, dëshira e saj për të mësuar nuk u zbeh asnjëherë. Siç pëshpëriti ajo, shokë të ngushtë tashmë ka mësuesit që thotë se nuk i mungojnë as edhe një ditë.

“Kur kemi filluar në klasë të parë kam qenë unë, një shoqe dhe tre djem më duket kanë qenë. Gjithsej sa keni qenë? Dhjetë nxënës, të gjithë kemi qenë. Ku shkuan ata? Kanë shkuar poshtë, në fshat tjetër. Sihanën e kam pas shoqe të ngushtë. Nuk e ke pa më atë? Jo. A ka diçka që të mungon në shkollë? Jo, nuk ka. Po sikur të kishte më shumë fëmijë si do të ishte? Me keq sepse do të më pengonin në mësim. Kur del nga shkolla a luan me dikë? Jo, shkoj në shtëpi, i bëj detyrat, mësoj”, u shpreh Habibja, nxënëse.


Në klasën ku mëson Habibja, mësuesja dhe mirëmbajtësi i shkollës janë munduar të sigurojnë të gjitha kushtet për zhvillim të procesit mësimor me qëllim që nxënëses së vetme ti krijohet atmosferë e ngrohtë pune.

“Unë këtë e bëj me kënaqësi, edhe pse është një nxënës e bëj më kënaqësi duke menduar se ky fshat ka pas shumë popullate. Në 7 ora e hapi shkollën, nga ora 11 mbylli, përfundon mësimi. E ndezi koftorin, moti është i mirë po akoma është ftoftë. Këtu ka pas shumë nxënës, në kohën time kemi qenë diku 260 nxënës, e tash ka mbet vetëm një nxënës. Bashkë vijmë, bashkë shkojmë, kemi mbet vetëm dy, është shumë e talentuar, nxënëse e shkëlqyeshme”, tha Muhamed, Mirëmbajtës i shkollës.

Shefajet Dauti, drejtor i Shkollës Qendrore në fshatin Bukoviq pranon se numri i nxënësve ka nisur të shënoj ulje. Mirëpo, ai kujton se nxënëses së vetme në Raoviq nuk i mungon asgjë kur bëhet fjalë për realizimin e planprogramit mësimor.

“Për fat të keq, në dy vitet e kaluara një numër i madh i nxënësve u shpërngulën dhe mbetëm vetëm me një nxënës. Kemi një mësuese të grupit klasor që shkon çdo dit dhe zhvillon mësimin, kemi dhe një mësues të gjuhës angleze dhe arsimit fizik. Të gjitha obligimet dhe të drejtat që duhet ti ketë ai nxënës, të njëjtat që realizohen në këtë shkollë i ka edhe ajo atje”, theksoi Shefajet Dauti, drejtor I sh.f “Emin Duraku” fshati Bukoviq.

Shkolla Qendrore “Emin Duraku” në fshatin Bukoviq, bashkë me tre shkollat periferike në fshatrat Arnaqi, Çajlanë dhe Raoviq numëron 647 nxënës. Sipas drejtorit të shkollës, në dy vitet e fundit është ulur numri i nxënësve për mbi 20 fëmijë. Sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave, në fillim të vitit shkollor 2022/2023, numri i nxënësve në të gjitha shkollat fillore të vendit ishte 185.099, që paraqet një rënie prej 0.8% krahasuar me vitin shkollor paraprak 2021-2022./Alsat.mk