LAJMI I FUNDIT:

“Shkodra s’ra por është ngritur”, Beci: Do punoj për të gjithë shkodranët

“Shkodra s’ra por është ngritur”, Beci: Do punoj për të gjithë shkodranët

Shkodra, së bashku me Kamzën, përbën një nga befasitë më të mëdha të zgjedhjeve lokale në Shqipëri. Pas 30 vitesh, bastion të demokratëve, këto dy bashki do të udhëhiqen nga socialistët e Ramës.

Kandidati i PS-së, Benet Beci, mori mbi 60% te votave në Shkodër, ose 34470 vota, ndërsa kryetari tashmë në largim, Bardh Spahia, i koalicionit opozitar “Bashkë fitojmë”, rreth 40% ose 22769 vota.

Në një konferencë për media pasditen e së hënës, Beci siguroi sot se, planet dhe projektet për zhvillimin e Shkodrës do të bëhen realitet.

Beci u shpreh se, besimi i qytetarëve është një obligim për të punuar për secilin prej tyre dhe për t’i shërbyer me përulësi çdokujt, pavarësisht ngjyrës dhe politikës.

“Ne do të jemi në shërbim të çdo shkodrani me më të mirën. Jam i gëzuar që ne patëm një fushatë të shkëlqyer në Shkodër, fushatë të qetë, për të cilën i jam mirënjohës çdo shkodrani. I jam mirënjohës të gjithë bashkëpunëtorëve të mi, i jam mirënjohës çdo anëtari të PS-së, të cilët me dëshirë, luftë dhe përpjekje kanë qenë mbështetës të jashtëzakonshëm. U jam mirënjohës çdo demokrati, të cilët na kanë parë pak me dyshim dhe më në fund shumë prej tyre kanë arritur të na besojnë e të na japin besimin. Për ne është obligim t’ua kthejmë me punë atyre. Sot jemi para një sfide të jashtëzakonshme për të bërë atë që kemi premtuar. Mirënjohje e veçantë për kryeministrin Rama. Mbështetja për planet dhe projektet që ne kemi shpalosur për Shkodrën, do të bëhet realitet. Ky është obligimi ynë”, tha ai.

Elisa Spiropali, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëkohësisht drejtuese politike e Partisë Socialiste në qarkun e Shkodrës, falënderoi votuesit e këtij qarku për mbështetjen që i kanë dhënë Partisë Socialiste.

Ajo tha se Shkodra nuk ka rënë siç kanë deklaruar disa por do të ngrihet në një nivel të ri zhvillimi.

“Në Shkodër është bërë një fushatë që tejkalon çdo pritshmëri patjetër me përulësi, me një qasje të re ndaj bashkisë së Shkodrës, e cila, jo siç thonë disa mendjelehtësish apo shumë lehtësisht ‘ka rënë’, por në fakt Shkodra është ngritur dhe Shkodra do të ngrihet në një nivel të ri zhvillimi turistik dhe ekonomik. Falënderojmë çdo votues pavarësisht për kë ka votuar nga Dukagjini në Velipojë. Do t’i shërbejmë të gjithëve pa dallim. Jam e sigurt se Beneti do ta mbajë premtimin për ta bërë Shkodrën kryeqendrën e veriut, portën e Shqipërisë nga Evropa dhe një perlë në rajon”, tha Spiropali.

Në Qarkun e Shkodrës, Partia Socialiste fitoi edhe një tjetër bastion të demokratëve, bashkinë e Vaut të Dejës, ku fitues u shpall Kristian Shkreli, ndërsa triumfoi edhe Tonin Marinaj në Malësinë e Madhe.