KF Shkëndija ka reaguar përmes një komunikate zyrtare pas incidentit të ndodhur gjatë ndeshjes kundër AP Brera, ku një grup tifozësh nuk e respektoi minutën e heshtjes për 59 viktimat e tragjedisë në Koçan, njofton Telegrafi

Klubi tetovar është distancuar nga kjo sjellje, duke theksuar se ky akt nuk përfaqëson as Shkëndijën dhe as tifozërinë në tërësi.


Në njoftimin e saj, Shkëndija thekson se skuadra e ka përjetuar thellë tragjedinë dhe ka respektuar plotësisht vendimin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut për të mbajtur një minutë heshtje. Sipas klubit, në stadium ndodheshin rreth 3,000-4,000 spektatorë, ndërsa sjellja e papërshtatshme erdhi nga një grup i vogël prej rreth 20 individësh. Klubi gjithashtu ka vënë në dukje se shumica e tifozëve reaguan me fishkëllima ndaj atyre që prishën momentin e heshtjes.

Nga Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut kanë konfirmuar hapjen e një procedure disiplinore lidhur me këtë incident. Sipas burimeve, pritet që Shkëndija të ndëshkohet me gjobë dhe mund të përballet me ndalimin e zhvillimit të ndeshjeve në stadiumin e saj për pjesën e mbetur të sezonit.

Ky zhvillim vjen në një moment kur Shkëndija kryeson renditjen në Ligën e Parë dhe synon titullin kampion. Megjithatë, pasojat disiplinore mund të ndikojnë në rrugëtimin e skuadrës drejt objektivave të saj sezonale. /Telegrafi/

telegrafi sport app