LAJMI I FUNDIT:

Shkatërrohet rrjeti kriminal, merrnin deri 2,500 euro për kalim të paligjshëm të kufirit drejt vendeve të BE-së

Shkatërrohet rrjeti kriminal, merrnin deri 2,500 euro për kalim të paligjshëm të kufirit drejt vendeve të BE-së

Goditet një grup kriminal në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, kundrejt fitimit.

Finalizimi i operacionit të koduar “Danubi” erdhi pas një hetimi disamujor duke çuar në pranga 5 persona, ndërsa janë shpallur në kërkim 8 të tjerë.


Në bashkëpunim me homologët vijon puna për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e tyre.

“U vunë në pranga shtetasit M. Xh., 58 vjeç, I. B., 58 vjeç, I. G., 64 vjeç, A. N., 49 vjeç, banues në Durrës dhe E. B., 39 vjeç, banues në Fushë Krujë, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje narkotikësh. Po në kuadër të operacionit u bë shpallja në kërkim e 8 shtetasve të tjerë që dyshohet se janë të përshirë në këtë veprimtari kriminale. Për arsye hetimi nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera të tyre”, njofton Policia e Shtetit.

Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan tre automjete që përdoreshin për transportin e personave, 4 pasaporta biometrike dhe një sasi e konsiderueshme në euro dhe lekë.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim me shtetasit e shpallur në kërkim, ushtronin veprimtari kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundjet fitimit.

Këta shtetas, kundrejt fitimit nga 1,000 deri në 2,500 euro, u jepnin ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufirit, personave që u refuzohej hyrja në vendet e BE-së. /Telegrafi/