LAJMI I FUNDIT:

SHIK-u dhe PDK-ja janë një

Problemi më i madh i perceptimit politik në Kosovë është se shpesh, publicistë të ndryshëm, analistë, gazetarë e reporterë, si dhe vet anëtarë të partive politike opozitare, e ndajnë SHIK-un nga PDK-ja.

SHIK-u dhe PDK-ja janë një; janë një trup i vetëm; janë një organ i vetëm. Nuk mund të ndahet Kadri Veseli si udhëheqës i SHIK-ut, nga Hashim Thaçi si udhëheqës i PDK-së. Këta ndahen, nëse ekziston nevoja, vetëm në mënyrë administrative. Sepse, njerëzit e njëjtë të SHIK-ut janë njerëzit e njëjtë të PDK-së. Dhe anasjelltas.

Pushtetin në Kosovë e ka PDK-ja. Me këtë, ose nga kjo, pushteti në Kosovë është edhe i SHIK-ut. Secili ministër në cilindo ministri, secili kryeshef në cilëndo agjenci dhe secili kryetar komune zyrtarisht i PDK-së, me automatizëm është edhe veprimtar i SHIK-ut.

Nuk është e rastësishme pse tenderët përfundojnë aty ku përfundojnë; nuk është e rastësishme që mbi 90 për qind e të punësuarve në administratën publike, në institucione qeverisëse, shëndetësi, arsim e kulturë, janë ose pjesëtarë të drejtpërdrejt të SHIK-ut ose veprimtaria e tyre në punë orientohet në dobi financiare dhe politike të PDK-së. Kjo nuk është mashtrim. Mashtrimi, nëse ekziston, është vetëm karshi publikut. Dhe e tëra kjo që u tha më lartë, si dhe ato që nuk u thanë, priten të zyrtarizohen, të dalin në sipërfaqe, në momentin kur edhe zyrtarisht Kadri Veseli e zyrtarizon kandidaturën e tij për kryetar ose udhëheqës të PDK-së, punë të cilën e bën me vite, por nën ”siglën” e Hashim Thaçit.

Edhe një problem tjetër që lidhet me SHIK-un: kur flitet për këtë organizatë përmenden vetëm vrasje e pasluftës, shumica nga ta veprimtarë të LDK-së. Edhe pse vrasjet e pasluftës duhet të zbardhen, e kaluara e SHIK-ut nuk bën të jetë më pak e rëndësishme sesa e tashmja e saj. Tenderët, punësimet, rrogat, mëditjet, benzina, veturat zyrtare, telefonia zyrtare, udhëtimet ndërkombëtare, postet qeveritare si ministër, drejtorë, udhëheqës departamenti, kryeshef, kryetar komune, e të qenit mjek, farmacistë, infermier, arsimtar, profesor, dhe përplot profesione të tjera ku qarkullojnë paratë, shpesh shkojnë në dobi të SHIK-ut.

Nuk po e them që secili prej tyre është pjesëtarë ose veprimtarë në dobi të SHIK-ut. Por, SHIK-u e ka krijuar dhe formuar këtë administratë; e ka krijuar dhe formuar këtë model të qeverisjes në Kosovë në atë mënyrë që secila dobi që del nga kjo, shkon në xhepin ekonomik dhe politik të SHIK-ut.

Nga kjo, PDK-ja, përkatësisht SHIK-u, asnjëherë, nëse duam të jemi korrekt, nuk pritet të humb pushtetin me vota. Sepse 30 përqindëshin e votave në nivel të përgjithshëm e ka të garantuar pa bërë asnjë ditë fushatë zgjedhore. Siç po mundohem të them, duke e punësuar tërë këtë hordë (shumicën me të njohshëm, të paarsimuar mirë dhe të papërvojë në punë) arriti të krijoj një bazë përqindjeje të mirë të zgjedhësve-votuesve, përmes administratës (shërbyesve civilë), nëpërmjet sistemit arsimor (arsimtarëve, edukatoreve, profesorëve, personelit administrativ në çerdhe, shkolla, universitete e të tjera), përmes gjykatave (gjyqtarëve, prokurorëve dhe personelit administrativë), përmes mediave (shumë nga gazetarët dhe personelin administrativ të mediave), përmes sistemit shëndetësor (mjekët, infermierët, infermieret, personelin administrativë) dhe të tjera.

Po e përsërisë, nuk po them që secili prej tyre është pjesëtarë ose veprimtarë i drejtpërdrejt ose që punon në dobi të SHIK-ut, por SHIK-u e ka krijuar dhe formuar këtë administratë, e ka krijuar dhe formuar këtë model të qeverisjes në Kosovë në atë mënyrë që secila dobi që del nga kjo, edhe financiar edhe politike, shkon në dobi të SHIK-ut.

Mjeti ose rruga e vetme se si SHIK-u arriti të krijojë këtë model të qeverisjes në Kosovë janë mediat. Për të arritur deri tek një nivel i kënaqshëm i votave-zgjedhësve, ata punësuan njerëz, ndërsa për të arritur deri tek një nivel i kënaqshëm i propagandës, ata punësuan redaktorë e kryeredaktorë si në mediat që e mbrojnë, ashtu edhe në median publike – RTK-në. Sepse, shumica e mediave në Kosovë, nëse nuk janë drejtpërdrejt të udhëhequra nga SHIK-u, atëherë ato ndjekin dhe mbrojnë interesin e SHIK-ut, përkatësisht të PDK-së. Ose, shpesh këto televizione dhe mediat e tjera asnjëherë nuk e kritikojnë PDK-në dhe modelin qeverisës, përderisa të njëjtat media shfrytëzohen për t’i kritikuar mediat që nuk janë nën kontrollin e PDK-së, bashkë me pjesëtarët e opozitës politike.