Pranvera është rilindje. Fillim i ri. Në rastin tonë, rrëfim i ri. Prandaj, me gjithë atë që kishim në plan të ofrojmë, ne, te Radio Televizioni Dukagjini vlerësuam se ishte koha për ta rimenduar dhe ribërë vetveten.
E nisëm me logon. Nuk kishte më kuptim që pakuptimësisht të mbetej në anën e kundërt të gjithçkaje tjetër në ekran. Për më tepër, ka 40 vjet që industria televizive funksionon mbi këtë standard. Pra, për t’ia dhënë kuptimin, por edhe funksionin, ishte e logjikshme që ne ta bënim të njëjtën.
Ne ofrojmë aq shumë programe, sa zgjedhja e një ngjyre për logon nuk do të ishte asnjëherë e lehtë. Prandaj, vlerësuam se një logo transparente duke ruajtur një pjesë të identitetit dallues, ishte zgjedhja e duhur. Logo e re përfaqëson transparencën si parim dhe ngjyrat mbi të cilat zhvillohen programet tona.
Përveç logos, ne kemi krijuar edhe identet e reja. Idente janë ato klipet e shkurtra që ju tregojnë cilin kanal jeni duke parë dhe ndajnë programet nga njëri-tjetri. Në to kemi shkrirë artin e asaj që ofrojmë, me synimin që të Dilni Përtej të zakonshmes, drejt Shijes Perfekte.
Nuk mund të mos e ndryshonim edhe sloganin. Në mesin e shumë propozimeve, ishte e vështirë të zgjidhej një. Veçanërisht, kur në fund, mbetën dy – njëri që lidhej me përfeksionin e shijes dhe tjetri me kapërcimin përtej.
Prandaj, vendosëm që “Shija perfekte e D” të jetë slogani i Radio Televizionit Dukagjini. Ndërsa, “Dil Përtej”, të bëhet slogan i të gjitha programeve informative në radiotelevizion.
Ndryshimin më të madh e kemi bërë në programet që ofrojmë. Dhjetë prej tyre janë të reja. Të vjetrat i kemi ndryshuar edhe vizualisht edhe përmbajtësisht. Dhe të gjitha së bashku janë të vendosura në një Skemë Programore – e ndërtuar për çdonjërin, çdo ditë.
Mëngjeset nisin në orën 07:00, me “Get up, Stand Up”. Duke parë ciklin e pambarimtë të kopjimit të njëri-tjetrit dhe nevojën që shikuesit t’i ofrohet një përmbajtje e ndryshme, të cilën veçse e pëlqen si dëgjues. Gencin dhe Gizën, i nxorëm nga rehatia e radios, në ekranin e televizionit. Dimensioni i ri dhe përmbajtja autentike që kanë sjellë në televizion, i kanë munguar për një kohë të gjatë dhe për rrjedhojë e kanë rikuptimësuar programin e mëngjesit. Dhe, madje, vetë mëngjeset. Zgjohuni dhe çohuni, me Gencin dhe Gizën. Përditë.
Radari i shoqërisë mbetet emisioni “Radar” me Edita Dolin. Në të nuk kemi pasur shumë çka të ndryshojmë. Edita mbetet po ajo. Dhe komunikimi i dëgjuesve me të, i pandryshuar. Janë shtuar temat, mysafirët dhe informacionet. Pra, për dy orë, nga 09:00 deri në 11:00, s’keni nevojë ta ndërroni as kanalin, as frekuencën. Krejt çfarë ju duhet e keni në “Radar”. Edhe paralajmërimet se ku ka radarë policie. Të gjitha kalojnë përmes Radarit të Edita Dolit.
Lajmet e para të ditës, ato të orës 13:00, i kemi lënë në po atë termin. Por, kjo është e vetmja gjë që ka mbetur e pandryshuar te lajmet. Vizualisht, strukturalisht dhe përmbajtësisht, gjithçka tjetër i takon konceptit të ri. Në këto lajme i përfshijmë vetëm zhvillimet më të rëndësishme deri në atë orë. Mirëpo, akoma më e rëndësishme është që të gjitha do t’i keni aty. Terminin tjetër e kemi zhvendosur, nga ora 16:00, në orën 15:00. Edhe te Lajmet e orës 15:00, informimi i saktë, i shpejtë dhe i lehtësisht i kapshëm, mbeten tre qëllime kryesore tonat.
Mundësinë për t’u shkëputur nga vështirësitë e secilës ditë ua ofrojmë përmes Reload. Me shumë vështirësi, Dardanin e kemi bindur që emisionin ta nisë në 16:15. Prandaj, pasditet tuaja do të nisin në shoqërinë e treshes fantastike Trakla-Nita-Drini. I kemi shtuar lojërat për t’iu sfiduar dhe blloqet e lajmeve për t’iu mbajtur të informuar.
Informacionet për ngjarjet më të rëndësishme të ditës dhe intervistat më të rëndësishme i gjeni në Five. Për dallim nga magazinat tjera informative që janë të koncentruara rreth një njeriu – të gjithëdijshëm dhe kudondodhur, koncepti i ri, nga e hëna në të premte në 17:30, moderuar nga Lirik Sylmetaj, me Dibran Istrefin dhe Arta Avdiun, është i ndërtuar rreth ekipit. Boshti nuk është më vetëm dhënia e informacionit, por kontekstualizimi dhe pozicionimi karshi tij. Intervistat me aktorët që e kanë karakterizuar ditën janë shkurtuar dhe konkretizuar.
Ngjarjet kryesore sportive të ditës, paralajmërimet për ndeshjet më të rëndësishme të mbrëmjes, me komente dhe intervista ekskluzive, të përmbledhura në një espresso të shkurtër informacioni, vijnë në Dueli Ditor. I ndërtuar me kujdesin më të madh për ata që e duan sportin, por edhe për ata që s’e duan, ndaj kanë tendencën ta shmangin, në dhjetë minuta. Nis në 18:30.
Meqë dinamika e jetës na imponon shumë kompromise, veçanërisht, në të jetuarit shëndetshëm, ne kemi vendosur që në 18:40 përmes Transformohu t’iu japim një guidë të shkurtër dhjetë minutëshe për trupin dhe mendjen.
Ngjyrat dhe këngën e burimshme të jetës i kemi përkthyer në një prej emisioneve më të veçanta që kemi ndërtuar, me shumë kujdes. Pa tekst është i menduar që për 25 minuta t’iu nxjerrë nga parëndësia e përditshmërisë. Dhe nga vazhdimësia rënduese e saj nëpër ekranet e televizorëve. Përmes muzikës dhe lojës me muzikë. Përmes figurave që i shihni dhe keni dëshirë t’i shihni – siç nuk i keni parë asnjëherë. Prezantuar nga redaktorja jonë e muzikës, Donika Hyseni. Nga e hëna në të enjten, në 19:00.
Lajmet Qendrore i kemi zhvendosur në 19:30. Nuk kishte kuptim që e gjithë pasditja të ishte e lidhur me informacionin. Dhe kur ai të jepej duhej të ishte i plotë. Prandaj, kronikat tona janë rikonceptuar dhe ndërtuar mbi plotëninë e informacionit, gjuhën e pasur narrative dhe kompozicionin pamor. Po ashtu, përmes studios së re, e kemi përshtatur peshën e përmbajtjes me kërkesën vizuale. Në moderim të Arbër Kadriajt dhe Lorinda Kolgecit, çdo natë, kuptojeni lajmin.
Kohën e prime time e kemi ndarë në tre shirita. Në 20:05, çdo natë mund ta ndiqni nga një program artistik.
The Game, shou-kuizi më i veçantë në krejt skenën mediale, në moderimin e drejtorit të televizionit, Dardan Belegu, e nis prime time të çdo jave. Është e pazakontë që njerëzit të cilët udhëheqin me media, të udhëheqin shou të tillë. Kudo. Dhe sidomos në Kosovë. Por, ne ju kemi dhënë një premtim: që Dukagjinin do t’ia kthejmë njerëzve dhe jetërave të tyre – ngjyrat. The Game, por edhe në tërësi skema jonë e re programore, është një përmbushje premtimi, që lojës së jetës do t’ia kthejmë ngjyrat. Dhe drejtori i RTV Dukagjini si udhëheqës i The Game, garanci se këtë do ta çojmë deri në fund. Edhe në lojë, të gjithë ata që e ndjekin dhe më të mirët ndër garuesit tanë, duam t’i shohim t’ia dalin ta çojnë ëndrrën e tyre, deri në fund.
Të martën, për mendjeprehtit dhe ata që duan ta sfidojnë veten në shkathtësi logjike është kthyer Detektivi. E keni kërkuar me insistim dhe për një kohë të gjatë. Ishte koha e duhur që ta kthenim në ekran. Kësaj radhe e kemi nisur me audicione sepse vetëm ashtu dhe para kamerave mund t’i sfidonim dhe përmes përgjigjeve t’i zgjedhnim ata që do të vijnë në garë. Po aq sa sfida, e madhe dhe plot veçanti është edhe hapësira dhe mënyra e realizimit të emisionit.
Kjo është një pjesë e rrëfimit tonë të ri, që vazhdon. Rrëfimet për të shkuarën, i kemi vendosur të mërkurën. Në Personale me Krenare Vokshin. Përtej rrëfimeve që konstruktohen përnatë nëpër debatet pafund, japim rrëfimet që janë në themele të ngrehës tonë shoqërore. Trajektoret jetësore për të cilat nuk keni dëgjuar. Dhe ato për të cilat dëshironi të dëgjoni e shihni më shumë.
Të enjten, lidhemi me Alan Fox, Live from Bërnica Park, për të sjellë para juve një format të ndryshëm dhe të munguar deri tani në paletat tona mediale. Është një intervistë që kthehet në debat, për çështje të caktuara, përgjatë së cilës i ftuari dhe moderatori sfidojnë njëri-tjetrin, e realizuar në gjuhën angleze.
Big Bang me Granit Canën iu takon nxënësve, prindërve dhe të gjithë atyre që duan të mësojnë dhe ta sfidojnë njëri-tjetrin për ato që kanë mësuar. Por, edhe ta provojnë vetem edhe në lojëra dhe përballje tjera, për ta matur veten më mirë. Nuk mund të mos e ndanim të premten për ata, të cilëve u takojnë të gjitha ditët e të ardhmes.
Hetuesia ju pret të shtunën. Bakiu, Kela dhe avokat Shaqa, bashkë me kolegët, janë, vazhdimisht, në hetim dhe disa prej tyre nën hetim. Përballjet e tyre për ligjin dhe me ligjin, herë krejt të rrokshme e herë aspak. Me gjithë vështirësitë e çuditshme në të cilat hasin, synimi i tyre është që ta zgjidhin, të paktën një rast.
Të dielën, i vetmi berber që punon është ai në Barber Shok. Figurat kyçe të hapësirës publike shqiptare, çohen te berberi, për t’i qethur nga bezdia e intervistave kiç nëpër mediat e hapësirës gjithëshqiptare. Barber Shok, me Fisnik Junikun, i zbulon ose synon t’i zbulojë mysafirët në vërtetësinë e jetës dhe karrierës së tyre. Sepse te berberi shumica e njerëzve janë të vërtetë dhe te berberi e nga berberi merren vesh shumë të vërteta.
Shiriti i dytë i prime time është ai i orës 21:00.
Nga e hëna në të enjten, diskutohet në Debat Plus, me Ermal Pandurin. Për shoqërinë dhe dimensionet e saj socio-ekonomike, për politikën dhe sportin, për artin dhe religjionin; për të gjitha, pikëpamjet përballen në hapësirën kryesore të debatit në vend.
Të premten, hyjmë N’burg me Nitën. Prapa dyerve të stërmëdha, mureve të larta me gjemba dhe grilave të hekurt. Rrethuar me njerëz që kanë shkatërruar fate njerëzish, duke lënë peng fatet e veta. Grisë së asaj bote, përtej botës të njerëzve të lirë, i shkojnë vetëm rrëfimet bardhezi. Prandaj, ato që do të dëgjoni dhe shihni, nga intervistat e Nita Briskut, janë thirrje të atyre njerëzve, për veten dhe botën. Thirrje nga zëra të harruar, për shkak se ato që kanë bërë, vështirë mund të harrohen.
Fundjavat i kemi bërë të veçanta, me Reload dhe Radar Extra. Momentet më të mira, ato më të vështira, më qesharake dhe më të dhimbshme, të gjitha vijnë të përmbledhura në dy pako të veçanta fundjave. Zakonisht ka aq shumë, sa është e vështirë të zgjedhim çfarë të heqim, e çfarë të mbajmë. Prandaj, kemi vendosur që ta ndjekim një rrugë të mesme, për ato që na pëlqejnë ne dhe ato që i kërkoni ju. Të shtunën në Reload Extra. Të dielen në Radar Extra.
Të shtunave, në 22:00, E kuqja, me Arbnesha Grabovci-Nixha, sjell rrëfime grash, për vetveten dhe shoqërinë. Kësaj shoqërie i ka rënë hise që kapërcimin drejt “shoqërisë moderne” të mundohet ta bëjë në kohën e një tjetër transformimi paradigmatik. Pasojë e këtij kapërcimi të jashtëkohshëm janë deformimet – herë më lehtë e herë më vështirë të vërejtshme – në krejt ngrehën shoqërore. Përgjigja është ky emision , që si emër paraqet metaforë të shumëfishtë, Ndërsa, si përmbajtje nxjerr në pah shumështresimet e një shoqërie të ndodhur para udhëkryqeve me pikëpyetje të mëdha, në të cilat për të zgjedhur rrugën, nuk ka arritur akoma të gjejë përgjigje.
Zhvillimet sportive të krejt javës, ju presin të dielën, me Dueli Sportiv. Gjithçka që ka ndodhur në sportin vendor dhe ndërkombëtar, kalon nëpër filtrin e analistëve tanë; nën udhëheqjen e Erza Brahushit dhe Ndrec Gjonajt. Dueli i të gjitha dueleve, nis çdo të diel në 22:00. Ju që doni ndeshje, mos e ndërroni kanalin.
Programi i Televizionit Dukagjini është shumë më i shtrirë dhe më i plotë se kaq. Por, atë po ua bëjmë më të afërt përmes këtij kapërcimi të shpejtë nëpër emisionet kryesore të strukturës.
Ky është rrëfimi ynë i ri. Shijojeni!
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNë Leposaviq vendoset gurthemeli i objektit të ri të nënstacionit policor
Fushata parazgjedhore, a po i përdor LVV resurset shtetërore? Flasin njohësit e çështjeve politike
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të Armatosura të Kanadasë – flasin për shkëmbimin e kadetëve dhe stërvitjet e përbashkëta
Aksident i rëndë në Suharekë, vdes një person
KFOR-i bën patrullime në Istog
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë e do me ngulm rivali i tyre
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar
"Kam 90 për qind gjasa që s'do mbijetoj", zbardhet biseda telefonike që Diana realizoi me babanë e saj para se të largohej nga BBVK
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë