Skena e Shtëpisë së Kulturës në Prizren ka qenë vendi prej nga të enjten mbrëma është përçuar porosia domethënëse për njerëzimin, përmes shfaqjes koreografike "Mankind". Konceptuar nga koreografja, Luljeta Braha dhe interpretuar nga nxënëset e shkollës së mesme të muzikës "Lorenc Antoni", kjo shfaqje ka paraqitur një reflektim artistik mbi ambiciet, lakminë dhe pasojat e sjelljeve njerëzore, gjithmonë duke kërkuar një dritë shprese.

Përmes vallëzimit, shfaqja "Mankind" ka trajtuar natyrën e pangopur të njeriut, i cili, në etjen për pasuri dhe pushtet, shpesh harron vlerat themelore të jetës. Ndonëse jetën e nis si qenie e pastër, megjithatë sipas përshkrimit të shkurtër të shfaqjes, njeriu formësohet nga shoqëria përreth dhe përvojat e ndryshme, duke u shndërruar gradualisht në një qenie të etur për dominim. Dhe ky rrugëtim rrezikon të çoj edhe në shkatërrim, teksa përmes vallëzimit modern është kërkuar ndërgjegjësimi për të mirën.


Sipas koreografes, Luljeta Braha, kjo vepër artistike reflekton mbi realitetin e përditshëm të shoqërisë. "Njerëzimi gjithmonë kërkon më shumë, pa e kuptuar se kjo etje mund të na çojë në shkatërrim. Ideja e kësaj shfaqjeje është që ta shpalos këtë, por në fund të ofrojë një lloj shprese, se jo gjithmonë negativiteti dhe gjërat e këqija fitojnë, dhe se me gjërat pozitive duhet ta fitojmë këtë luftë të përditshme”, ka thënë Braha, raporton Telegrafi.

mankind pz shk scaled

Pjesë e shfaqjes kanë qenë balerinat e talentuara, Ulpiana Gërmizaj, Dua Krusha, Rita Krasniqi, Rrezearta Vokshi, Artina Tarashaj, Nira Alkovaç, Daorsa Gjergjizi dhe Eda Drvar, të cilat për tre muaj kanë punuar për realizimin e këtij projekti.

Koreografja Braha është shprehur e kënaqur me interpretimin e tyre, pasi sipas saj ndonëse të reja ato “kanë arritur që të përçojnë mesazhin në formë të bukur, dhe se të gjithë në audiencë e kanë kuptuar qëllimin e shfaqjes koreografike”.

Projekti në fjalë është realizuar me mbështetjen e shkollës së muzikës "Lorenc Antoni" dhe studios “Lulu’s Dance Academy”.

Solistja në këtë vepër, Ulpiana Gërmizaj paraqitjen para publikut prizrenas e ka vlerësuar si përvojë interesante, meqë para tyre përmes lëvizjeve koreografike është paraqitur një temë serioze.

“Jemi përgatitur shumë për këtë shfaqje të mrekullueshme, që flet për njerëzimin, nga e mira e deri te egoja, lakmia e pushteti dhe shkatërrimi. Por çdo herë ka një dritë, shpresa ekziston që e mira përsëri të kthehet dhe të triumfojë”, ka thënë Gërmizaj pas shfaqjes, raporton Telegrafi.

mankind pz scaled

Interpretimi i balerinave të reja është vlerësuar nga publiku me duartrokitje të gjata, për shfaqjen koreografike, që bën thirrje për reflektim mbi rrugën që zgjedhin individët dhe shoqëria. /Telegrafi/