LAJMI I FUNDIT:

Shfaqja e Brodwayt për të mbijetuarën e familjes mbretërore ruse: Në turne botëror… pos në Rusi!

Shfaqja e Brodwayt për të mbijetuarën e familjes mbretërore ruse: Në turne botëror… pos në Rusi!

Një komedi muzikore e Broadwayt, me personazh kryesor gruan që mendohet të jetë anëtarja e fundit e mbijetuar e familjes mbretërore ruse, fillon së shpejti një turne në Shtetet e Bashkuara, Evropë, Azi dhe Amerikën Latine. Por, ironikisht, Rusia është vendi ku muzikali “Anastasia” nuk do të shkojë gjatë këtij turneu.

Anastasia, vajza e vogël e Car Nikollës së Dytë, ka qenë ruse, por sot roli i saj intrepretohet në spanjisht, gjermanisht dhe koreançe.

“Që në fillim, zbuluam që shfaqja jonë tërhiqte audiencat në mbarë botën. Në mesin e spektatorëve ka njerëz që flasin të gjitha gjuhët e botës”, thotë producenti i shfaqjes, Tom Kirdahy.

Por, në rusisht ende jo. Muzikali “Anastasia” nuk ka për t’u shfaqur gjatë turneut në atdheun e vet historik. Pengesat nuk lidhen me politikën, apo linguistikën, por historia e “Anastasias” dhe familjes së saj ka një kuptim më të thellë dhe më kompleks për rusët.

“Muzikali do të duhet të rikonceptohet për publikun rus. Me këtë nënkuptoj kodin kulturor ku bazohet mentaliteti rus. Ne e shohim historinë tonë ndryshe nga amerikanët apo e evropianët”. thotë producenti Dmitiri Bogachev.

Megjithatë, Bogachev nuk donte që muzikali të jepej në fillim në Moskë edhe pse është i vetmi rus mes 700 anëtarëve të Ligës së Producentëve të Broadwayt.

“Muzikalin vijnë ta shohin familjet me fëmijë të vegjël dhe adoleshentë. Atyre u duhet shpjeguar revolucioni i vitit 1917, ekzekutimi i familjes Romanov… Këtë nuk ka nevojë t’ia shpjegosh publikut rus, që do ta shihte këtë të panevojshme”, thotë producenti.

Shfaqja “Anastasia” jo vetëm që arriti sukses në publik, por mori dy emërime për çmimin “Tony” në vitin 2017, për aktoren më të mirë dhe për stilizimin e kostumeve.

“Është një shfaqje muzikore shumë e bukur. Aktorët janë të mrekullueshëm; skenografia është më e mira që kam parë deri më sot: skena realiste të lumit, pyllit, borës… Është një shfaqje fantastike”, thotë Presidentja e Ligës së Broadwayit, Charlotte St. Martin.

Shfaqja në vende të ndryshme të botës nuk ishte diçka e vështirë. Shumë nga këngëtarët e kanë ditur që nga fëmijëria kush ishte Anastasia dhe çfarë përfaqëson ajo.

“Anastasia ishte një model për mua në fëmijëri dhe vazhdon edhe sot. Shumë të reja frymëzohen prej saj: një grua e fortë, e pavarur, që bën gjithçka për të arritur synimet e saj dhe e zgjedh vetë drejtimin e jetës së saj”, thotë aktorja Judith Caspari.

Muzikali do të zhvillojë turne në Shtetet e Bashkuara deri në fund të nëntorit dhe më pas do të shkojë në Evropë. /VoA/