LAJMI I FUNDIT:

Sherifi: Kosova nuk ka kandidat më të denjë për kryeministër sesa Fatmir Limaj

Sherifi: Kosova nuk ka kandidat më të denjë për kryeministër sesa Fatmir Limaj

Sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka deklaruar se momentalisht Kosova nuk ka lider dhe kandidat më të denjë për kryeministër sesa zëvendëskryeministri aktual, Fatmir Limaj.

Këto komente Sherifi i bëri sonte në mbrëmje në Kuvendin Rinor të Nismës Socialdemokrate, me ç’rast edhe bëri të ditur se Fatmir Limaj do të jetë kandidat për kryeministër në zgjedhjet e radhës.


“Nisma Socialdemokrate, në mos në zgjedhjet e ardhshme, në zgjedhjet e tjera të radhës kandidat për kryeministër do të ketë z. Fatmir Limaj, sepse ne besojmë që lider më të mirë, më të drejtë dhe më të aftë për të qeverisur vendin”, deklaroi ai.

E ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka uruar të rinjtë e Nismës Socialdemokrate për punën e suksesshme të tyre dhe pati një porosi për ta.

“Ajo çka Nisma Socialdemokrate ka treguar me aktivitetet e saj, me angazhimet e saj, me një punë të vazhdueshme, me një koherencë në punën e saj, ka bërë që sot të jemi këtu. Të jemi një forcë politike serioze si në nivelin qendror, ashtu edhe në nivelin lokal. Pra na mbetet tutje, që sa më shumë të rritemi si parti, angazhimi duhet të jetë shumë i madh, sepse na presin edhe përgjegjësi më të mëdha”, theksoi Bytyqi.

Tutje, ai tha se degët e Nismës Socialdemokrate dhe kryesia e saj, janë të gatshme që të bashkëpunojnë me rininë, që ta bëjnë këtë të fundit faktor në nivel qendror dhe lokal.

Kryetari i të rinjve të Nismës Socialdemokrate, Albert Maxhuni është shprehur se ka ardhur fundi i të gjithë atyre që janë të mbyllur për gjeneratën e re, duke potencuar se si Nismë përfaqësojnë qytetarët e Kosovës në kuvendet komunale në mënyrën më të mirë të mundshme. /KP/