LAJMI I FUNDIT:

Shërbimi Korrektues i Kosovës vazhdon me lehtësimin e masave anti-COVID-19

Shërbimi Korrektues i Kosovës vazhdon me lehtësimin e masave anti-COVID-19
Foto: Ilustrim

Shërbimi Korrektues i Kosovës në koordinim me Departamentin Shëndetësor të Burgjeve, si dhe bazuar në vlerësimin e gjendjes së përgjithshme me pandeminë në vend, ka marr vendim që nga data 21 qershor 2021 të lehtësoj masat anti-COVID-19.

Sipas një njoftimi për media, numri i vizitorëve për një të burgosur do të lejohet sipas rregullave për rendin shtëpiak, ndërsa maskat do të vazhdojnë të mbeten në fuqi gjatë vizitave.


Tutje në njoftim thuhet se karantina do të hiqet në të gjitha institucionet korrektuese.

“I burgosuri mund të veçohet nga të tjerët vetëm atëherë kur mjeku konstaton se i njëjti ka simptoma të COVID-19 apo ndonjë arsye tjetër shëndetësore. Në institucionin e tipit të hapur lejohen të dënuarit që të punojnë jashtë institucioneve korrektuese sipas Udhëzimit Administrativ MD-NR 02/2019. Sistemi i komunikimit virtual Skype do të përdoret vetëm për rastet kur një i burgosur nuk ka vizita apo është shtetas i huaj dhe nuk mund të vizitohet nga familja”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, Shërbimi Korrektues i Kosovës do të vazhdojë bashkërendimin institucional me institucionet relevante të Republikës së Kosovës dhe do të mbajë të informuar opinionin publik rreth hapave në vazhdim. /Telegrafi/