Shëndetësia e shtetit me grip
‘Me asgjë njeriu nuk i afrohet perëndisë më tepër, sesa ofrimi i shëndetit për njerëzimin.’ - citoj Ciceron. Mirëpo larg nga tradita filozofike e Ciceros; aq larg sa edhe praktika moderne e vlerës së shëndetësisë në mbarë botën, ne Kosovarët kemi caktuar standardet tona të prioriteteve dhe vlerave shoqërore, ku nocioni ‘mjek’ nuk qëndron edhe aq keq, është më mirë sesa të jesh lypës! Ama jo njësoj është situata nëse i shikojmë këto prioritete së mbari; në fakt te ne më parësor është asfalti, më të rëndësishëm janë stacionet e autobusëve sesa mirëqenia e mjekëve, e mos të flasim për kushtet e mjekësisë tek ne.
Duke freskuar vetëm pak memorien, të gjithë ne e kujtojmë që pakrahasim- mjekët (çuditërisht për disa) janë shtresa më e shkolluar e shoqërisë tonë. Për dallim prej gati të gjitha profesioneve, fakulteti i mjekësisë së doktorëve tanë ka zgjatur 5 vjet plot me literaturë voluminoze të gjuhëve alternative, bashkë me mesatarisht 4 vjet tjera specializimi, me të cilin ata profilizohen profesionalisht që së bashku na japin ‘rrumbullak’ 21 vjet avancimi akademik – ironikisht afërsisht sa mosha më e shëndetshme e trupit të njeriut. Dhe pastaj kuptohet, ne si popull dhe si shtet e përgëzojmë ‘naivitetin e ndershëm’ të tyre me plot 270€ duke i bërë ata të nëmin veten pse e kanë kryer gjithë këtë shkollë dhe të dëshirojnë të ishin punëtorë të thjeshtë edhe në PTK. Të mos harrojmë, PTK si entitet i pa-privatizuar, i paguan pastruesit e vet afërsisht dyfish më shumë se kuadrot mjekësore, shembull që lirisht mund të marrim jo si xhelozi, por ambicie pozitive; nëse një PTK mund të arrijë majat e suksesit, pse të njëjtën të mos e bëjë edhe një qeveri e udhëhequr nga mendje të mrekullueshme?!
Gjatë viteve të fundit, kemi qenë në nirvanë lumturie që profesorët dhe arsimtarët tanë më në fund filluan të krijojnë atë pak mirëqenie që i nevojitet – për çka luftuan edhe vet me greva dhe bllokime të procesit mësimor. Ah sa mirë për ta që jeta e njeriut nuk varet nga puna e tyre, sa mirë që e kanë fuqinë të bazuar në ideale të paluhatshme; e sa mjerë për mjekët, të cilët nuk kanë mundësi të tregohen aq të prerë sa mësuesit – për hir të shenjtërisë së mbrojtjes së jetës, të heroizmave të përditshme që e karakterizon profesionin e tyre, i qesim në lojë grevat e tyre sepse në pikë të fundit argumentojmë instinktivisht që ata “nuk kanë qare” pa dalë në punë, e asnjëherë nuk mendojmë se ata “kanë qare” por “qarja” e tyre do të na kushtonte me jetë. Sa mjerim kur të mirën e tyre e përbaltim dhe ia kthejmë si mos më keq. Për më tepër i shajmë dhe i akuzojmë për shërbime të këqija, se po na vonojnë dhe nuk po na japin ilaçe, jo pse qeveria i ka dhënë prioritet urave e rreth-rrotullimeve para ilaçeve, por se doktorët janë aq të këqij, sa nuk na japin ato sepse i duan të ‘gjitha për vete’. Bile në këtë muaj që jemi, tetorin e 2009, i dhuruam edhe dhuratën më të bukur nivelit primar mjekësor duke mos i dhënë fare rrogën edhe pse një e treta e muajit ka kaluar. Familjet që varen nga 270shi i mjekut, të gjejnë tjetër qare – mund të zgjasin dorën e të bëhen lypës, kush i ka faj që janë bërë mjek?! Ironi...
Është po ashtu e çuditshme që në vendet ku mjekësia është e pamëshirshme, ka më së shumti rregull dhe kushte më të mira. Sigurimi social dhe sigurimi mjekësor, edhepse pjesë integrale e të gjitha shteteve të zhvilluara të cilat po mundohemi ti kopjojmë, tek ne ende është larg implementimit, bile edhe planifikimit. Duke qenë një shtet me treg të përshtatshëm (nga numri i vogël i banorëve) dhe ekonomi të tregut, kemi bërë përparime të dukshme në sektorin privat, ndërsa e kemi keqkuptuar konceptin e kapitalizmit modern. Në vrullin e privatizimit dhe angazhimit në decentralizim të fuqisë – kemi anashkaluar pikat mbështetëse të qeverive moderne: mirëqenien sociale dhe shëndetësore, pa të cilën çdo fabrikë, çdo shkollë, çdo organizatë e çdo individ do të lëngonte. Kjo hallkë e rëndësishme e zinxhirit të vlerave shoqërore mbi të cilën është i bazuar shteti jonë pas gjithë atyre sfidave shekullore mund të kompletohet vetëm nëse i jepet rëndësi emergjente sistemit shëndetësor, ofrohet rregull në institucionet mjekësore dhe rikthehen vlerat e merituara të gjithë stafit tonë mjekësor.
Fundja, po shpresoj që si person laik nga shkenca mjekësore të jap si diagnozë të kësaj gjendje tmerruese: ‘gripin’ për shoqërinë tanë – me shpresë që neve, popullatës dhe përfaqësuesve që i zgjodhëm në mënyrë paqësore të na bie kokës për këtë ‘sëmundje kolektive’ sa më shpejt, dhe t’i trajtojmë mjekët si pjesë të shoqërisë dhe jo skllevërit tanë, skllevër të altruizmit të tyre profesional dhe të dënuar për mundin akademik që i solli në këtë gjendje të mjerueshme. Pse jo, sipas trendeve të sotshme, më shumë vlen fjala ime si laik, sesa vepra jetësore e një gjeniu të mjekësisë kosovare...



































