Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian dhe Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, së bashku me Komisioneren për Zgjerim, Marta Kos, kanë përshëndetur zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, të mbajtura më 28 dhjetor.

Në deklaratën e përbashkët, Kallas dhe Kos theksuan se qytetarët e Kosovës ushtruan të drejtën e tyre demokratike përmes votimit, duke dëshmuar një përkushtim të fortë ndaj parimeve demokratike. Bashkimi Evropian vlerësoi pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve dhe subjekteve politike në procesin zgjedhor.


Duke iu referuar ngërçit politik që pasoi zgjedhjet e shkurtit 2025, përfaqësueset e BE-së shprehën pritjen për formimin e shpejtë të Kuvendit dhe Qeverisë së re, si dhe për vazhdimin e angazhimit të ngushtë me autoritetet e Kosovës. Sipas tyre, qeveria e ardhshme duhet të intensifikojë përpjekjet për zbatimin e reformave të domosdoshme në kuadër të agjendës evropiane.

BE-ja ka bërë të ditur se ka dërguar në Kosovë një Mision Ekspertësh për Zgjedhjet, i cili do të qëndrojë në vend për të ndjekur procedurat paszgjedhore.

Në deklaratë është theksuar edhe rëndësia e ratifikimit të marrëveshjeve që lidhen me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor. BE-ja i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që, sapo të konstituohet, të ratifikojë këto marrëveshje, duke nënvizuar se Plani i Rritjes është një instrument me afat të kufizuar për periudhën 2024–2027 dhe se ratifikimi i shpejtë është në interes të drejtpërdrejtë të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Sa i përket dialogut Kosovë–Serbi, Bashkimi Evropian ka përsëritur se normalizimi i marrëdhënieve, i lehtësuar nga BE-ja, mbetet e vetmja rrugë për përparim në procesin e integrimit evropian për të dyja palët. BE-ja pret zbatimin pa vonesa dhe pa parakushte të të gjitha obligimeve që rrjedhin nga marrëveshja për rrugën drejt normalizimit dhe nga marrëveshjet e mëparshme të dialogut, duke shprehur gatishmërinë për organizimin e një takimi të nivelit të lartë sapo kushtet ta lejojnë.

Në fund, BE-ja ka rikujtuar se procesi i heqjes së masave ndaj Kosovës po ecën përpara.

Deri tani, janë liruar 216 milionë euro ndihmë financiare pas transferimit të rregullt të qeverisjes lokale pas zgjedhjeve të fundit komunale, ndërsa është paralajmëruar lirimi i edhe 205 milionë eurove shtesë në fillim të vitit të ardhshëm./Telegrafi.