SHBA ka nisur një valë “vendimtare dhe të fuqishme” sulmesh ajrore ndaj rebelëve Houthi në Jemen, ka thënë presidenti Donald Trump, duke përmendur si arsye sulmet e grupit të armatosur ndaj anijeve në Detin e Kuq.

“Të financuar nga Irani, banditë Houthi kanë gjuajtur raketa në aeroplanët amerikanë dhe kanë vënë në shënjestër trupat dhe aleatët tanë”, shkroi Trump në platformën e tij sociale Truth  duke shtuar se “pirateria, dhuna dhe terrorizmi” i tyre kishin kushtuar “miliarda dollarë” dhe kishin vënë jetë në rrezik.


Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Houthi, tha se të paktën 31 njerëz u vranë dhe 101 të tjerë u plagosën në sulmet.

Grupi - i cili filloi të synojë anijet në përgjigje të luftës Izrael-Hamas në Gaza - tha se forcat e tij do t'i përgjigjen sulmeve të SHBA, transmeton Telegrafi.

Houthi-t raportuan një seri shpërthimesh të shtunën në mbrëmje në Sanaa dhe në provincën veriore të Saada - bastioni i rebelëve në kufirin me Arabinë Saudite.

Grupi rebel i mbështetur nga Irani, i cili e konsideron Izraelin armikun e tij, kontrollon Sanaan dhe veriperëndimin e Jemenit, por nuk është qeveria e vendit e njohur ndërkombëtarisht.

Imazhet e paverifikuara tregojnë shtëllunga tymi të zi mbi zonën e aeroportit të Sanaa - që përfshin një strukturë ushtarake.

Në një deklaratë, Houthi-t fajësuan SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar për agresionin "të lig" që synon zonat e banuara në kryeqytetin e Jemenit, Sanaa - megjithëse kuptohet se Mbretëria e Bashkuar nuk mori pjesë në sulmet e SHBA-së të së shtunës kundër objektivave Houthi, por ajo ofroi mbështetje rutinë për furnizimin me karburant për SHBA-në.

Këto sulme, tha Trump, "nuk do të tolerohen". Ai shtoi se: "ne do të përdorim forcë dërrmuese vdekjeprurëse derisa të kemi arritur objektivin tonë".

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi tha se qeveria amerikane nuk kishte "asnjë autoritet, apo biznes që të diktonte politikën e jashtme iraniane".

"Të japim fund mbështetjes për gjenocidin dhe terrorizmin izraelit. Ndaloni vrasjet e popullit jemenas", postoi ai në X të dielën.

Houthi-t kanë thënë se po veprojnë në mbështetje të palestinezëve në luftën midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza dhe kanë pohuar - shpesh në mënyrë të rreme - se ata synojnë anije të lidhura vetëm me Izraelin, SHBA-në ose Britaninë e Madhe.

Që nga nëntori i vitit 2023, Houthi-t kanë vënë në shënjestër dhjetëra anije tregtare me raketa, dronë dhe sulme me varka të vogla në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit. Ata kanë fundosur dy anije, kanë kapur një të tretën dhe kanë vrarë katër anëtarë të ekuipazhit. /Telegrafi/