Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara raportohet se është në fazën përfundimtare të një projekti për ridizajnimin e pasaportave amerikane.

Kjo nismë ka ngjallur vëmendje për shkak të një elementi të pazakontë: mundësinë e përfshirjes së imazhit të presidentit amerikan, Donald Trump.

Sipas raportimeve, propozimi lidhet me përgatitjet për shënimin e 250-vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara dhe parashikon një seri të kufizuar prej rreth 25 mijë pasaportash me dizajn të ri, shkruan forbes.


Draftet fillestare thuhet se përfshijnë portretin dhe nënshkrimin e Trumpit brenda dokumentit, duke zëvendësuar elementet tradicionale grafike që zakonisht përdoren në pasaportat amerikane.

Ekspertët e fushës theksojnë se një veprim i tillë do të ishte i paprecedentë, pasi praktika ndërkombëtare nuk përfshin zakonisht figura politike në detyrë apo liderë shtetesh në dokumente të tilla zyrtare.

Megjithatë, plani ende nuk është miratuar përfundimisht dhe autoritetet amerikane nuk kanë konfirmuar zyrtarisht nëse ky ndryshim do të realizohet. /Telegrafi/