LAJMI I FUNDIT:

SHBA dhe Kanadaja arrijnë marrëveshje për të përmirësuar NAFTA-në

SHBA dhe Kanadaja arrijnë marrëveshje për të përmirësuar NAFTA-në

Kanadaja ka rënë dakord t’i bashkohet Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Meksikës për të përmirësuar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA), duke i dhënë fund muajve të pasigurisë mbi tregtinë në Amerikën e Veriut që ishte varur mbi ekonomitë e të tre vendeve që kur Donald Trump mori detyrën në Shtëpinë e Bardhë.

Zyrtarët nga SHBA-ja dhe Kanada thanë se marrëveshja ishte arritur të dielën, vetëm disa orë përpara një afati përfundimtar për SHBA-në dhe Meksikën për të dërguar tekstin e marrëveshjes në Kongres. Pakti i ri trilateral do të quhet Marrëveshja Shtetet e Bashkuara-Meksiko-Kanada (USMCA).


“USMCA do t’u japë punëtorëve, fermerëve dhe bizneseve një marrëveshje të nivelit të lartë të tregtisë që do të rezultojë në tregje më të lira, tregti më të drejtë dhe rritje të fuqishme ekonomike në rajonin tonë. Kjo do të forcojë klasën e mesme dhe do të krijojë vende pune të mira dhe të paguara dhe mundësi të reja për pothuajse gjysmë miliardë njerëz të Amerikës së Veriut”, tha Robert Lighthizer, përfaqësues tregtar i SHBA-së, përcjell Telegrafi.

Marrëveshja SHBA-Kanada pason një javë me tensione midis Donald Trump dhe ekipit negociator kanadez, pasi që ata arritën një kompromis mbi masat që lidhen me sektorin e qumështit, tarifat e makinave dhe dispozitat bujqësore.

Një marrëveshje e plotë që përfshinë Kanadanë dhe Meksikën, përfundon një sërë përpjekjesh nga administrata Trump për të zbutur marrëdhëniet tregtare me aleatët strategjikë të SHBA-ve, ndërkohë që ndez tensionet tregtare me Kinën.

Javën e kaluar, SHBA-ja ka ranë dakord të fillojnë bisedimet e tregtisë dypalëshe me Japoninë dhe të njëjtën gjë e bëri me BE-në në fund të muajit korrik. Megjithatë, administrata Trump vazhdon të shikoj vendosjen e tarifave për makinat dhe ka kërcënuar që ta tërheqë SHBA-në nga Organizata Botërore e Tregtisë, nëse kjo e fundit nuk reformohet. /Telegrafi/