LAJMI I FUNDIT:

Shamia: ana tjetër e medaljes

Të premten e shkuar në Prishtinë u mbajt një protestë në emër të lirisë.Një grup besimtarësh muslimanë kërkuan që Ministria e Arsimit të Kosovës të ndryshojë udhëzimin administrativ – Kodi i mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënës të shkollave të mesme të larta Nr: 7/2009. Në pikën 13 të nenit te IV thuhet saktësisht se ndalohet përdorimi i simboleve fetare në shkolla.

Ky kod është miratuar një vit më parë dhe protesta e së premtes nuk ishte e para.
Debati për shamitë është hapur disa herë në Kosovë. Mua personalisht sa herë hapet ky debat me kujtohet një fqinja ime e dikurshme, Sabilja, nënë e pesë fëmijëve, e cila ishte vendosur në Prishtinë pas luftës, pasi shtëpia dhe gjithë pasuria e saj ishte shkatërruar e djegur nga forcat serbe.


Kisha një lloj admirimi për këtë grua, që me njëmijë sakrifica po i rriste fëmijët, në kushtet e të ardhurave minimale. Një ditë më tregoi se si e kishte dërguar vajzën në një kurs falas për të mësuar anglisht, tek një organizatë, e cila e paraqiste veten se merrej me aktivitete humanitare. Ata i përkisnin fesë muslimane dhe financimet e tyre vinin nga bota arabe.

Mirëpo pas një jave Sabilja e kishte larguar vajzën nga ai kurs. “Qëllimi i tyre nuk ishte t’i mësonin anglisht, por t’i jepnin mësime fetare… Nuk dua qe vajza ime të më vijë një ditë në shtëpi me shami në kokë” më tha. Instinkti protektiv i nënës kish bërë që kjo grua, e cila nuk ka ndonjë shkollë tjetër përveç fillores, të kuptonte diçka shumë të rëndësishme, atë të cilën si duket protestuesit që dolën në rrugë nuk e kanë kuptuar ende: Lirinë e zgjedhjes për vajzat dhe gratë e tyre. Sabilja nuk donte që mendja e njomë dhe e papjekur e vogëlushes t’i nënshtrohej mësimeve dhe teorive të fesë. Nëse ajo dëshironte të kthehej në një muslimane të mbuluar, le ta zgjidhte vetë atë gjë, në moshën kur do të ishte në gjendje të kuptonte dhe gjykonte…

E solla këtë copëz realiteti për të folur edhe një here për lirinë individuale dhe të drejtat e njeriut, të cilat shërbejnë jo rrallë si retorikë për të mbuluar të vërteta të mëdha të shtresëzuara deri në pavetëdijen e shoqërisë.

Edhe pse politikisht nuk është një veprim aspak i mençur dhe shkon tërësisht në dëm të Kosovës, nga aspekti i të drejtave të njeriut është më se normale që këta individë të shfrytëzojnë të drejtën për të protestuar për diçka që nuk iu pëlqen apo me të cilën nuk pajtohen. Kjo e drejtë në Kosovë është e garantuar me ligj sikurse në shumë vende të tjera botës.

Mirëpo duhet parë ana tjetër e medaljes. Pyetja ka të bëjë me një fakt të thjeshtë: a janë këta individë që dalin në rrugë, bartës të kësaj lirie individuale? Një miku im para ca kohësh po më tregonte një ditë sesi një kolegia e tij në Prizren, i rrokulliste pandërprerë lotët nën shaminë të cilën e kishte detyruar i shoqi ta vinte në kokë, edhe pse në 50 vitet e jetës së saj, një gjë e tillë kurrë nuk i kishte shkuar as mendje. Mes divorcit dhe shamisë, ajo kishte zgjedhur të sakrifikonte lirinë e saj.

Nuk di nëse kjo grua ka qenë në mesin e atyre qe protestuan të premten në Prishtinë, por jam e bindur se në Kosovë gra të tilla, që janë detyruara të bëjnë kompromise për një arsye apo një tjetër, ka shumë. Është kundër natyrës së femrës që të kërkojë të mbulohet, të fshehë trupin dhe fytyrën. Shkenca e psikologjisë i ka dëshmuar me kohë këto gjëra, dhe s’ka vend për debat. Natyra e vërtetë e femrës, por jo vetëm e saj, të ekspozojë bukurinë e saj.

Është pikërisht kjo që po bëjnë vajzat edhe në vendet e botës muslimane. Kushdo që ka udhëtuar në këto vende apo ndjek median, me siguri e ka parë se gjithnjë e më shumë nëpër rrugë ka vajza të veshura me xhinse, me bluza të hapura, por ende me shami në kokë. Shaminë do ta kishin hequr të parën sikur liria e tyre individuale të respektohej nga autoritetet, por pikë së pari të cliroheshin nga autoritarizmi dhe fanatizmi i meshkujve në familjet e tyre. Ato jetojnë dhe sfidojnë brenda së mundshmes.

Pra, kthehemi sërish tek ngjarja e së premtes; në radhë të parë sa të sinqertë me veten e tyre dhe shoqërinë janë këta njerëz që dolën në protestë, në mes të Prishtinës? Ose ta shtrojmë ndryshe pyetjen: shamitë që ato gra mbajnë në kokë, janë si rezultat i vullnetit të tyre apo pjesë e një vullneti të imponuar? Kam arsye të shumta që e ngre këtë pyetje. Ja pse:

Në Kosovë, pas luftës vërshuan me dhjerëta sekte, organizata fetare dhe “humanitare.” Grupe të tilla se dëshmitarët e Jehovajit besoj i mban mend secili prej nesh kur na trokisnin në shtëpi dhe me një këmbëngulje gati agresive kërkonin që t’i dëgjonim “dëshmitë” e tyre të veçanta për Jezusin.

Pa një ligj që do të rregullonte dhe mbikqyrte aktivitet e tyre, duke shfrytëzuar kaosin që mund të prodhojë një luftë, shkatërrimin, gjendjen e pashpresë, varfërinë, disa prej këtyre organizatave filluan të filtrohen nëpër shoqëri me misione krejt te tjera, nga ai thjesht human. Natyrisht këto organizata e njohin mirë “gjahun” e tyre. Familjet e varfëra që zakonisht i përkasin edhe një niveli më të ulët intelektual se pjesa tjetër e shoqërisë.

Rasti i kursit të anglishtes që përmenda më sipër është një nga dhjetëra apo qindra të tillët, kur ndihma ofrohej vetëm nëse pranoheshin kushtet e tyre, pra të bëheshe një besimtar i devotshëm, të pranoje dhe të mbaje simbolet e tyre. (Në rastin më të keq Brenda tyre janë të infiltruar edhe grupe terroriste, të cilat kanë synime me afatgjata, Çfarë mund te jete tjetër grupi i shqiptarëve që deshën të hedhin në erë Ford Dix.)
Kjo situatë është ende prezente.

Këto organizata të dyshimta kanë buxhetet e tyre të posaçme për të financuar familje të vobekëta, të cilat për një pagë prej 200 deri në 500 euro i nënshtrohen plotësisht ideologjisë së fesë. Shumica e pranojnë me të vërtetë këtë lloj indoktrinimi dhe bëhen besimtarë të devodshmëm, deri në verbëri. Meshkujt lëshojnë mjekrat dhe veshin pantallona më të shkurtra. Ata janë edhe kontakti i parë me organizatat islamike kështu që janë të parët që pranojnë dhe iu nënshtrohen rregullave të fesë, për t’i imponuar më pas në familjet e tyre.

Gratë, herë pa vullnet e herë të indoktrinuara fillojnë të mbulohen me shamia, të edukojnë fëmijët e tyre me të njëjtin përkushtim apo përvuajtje që dikush i ka edukuar ato.
Mendjet e paformuara intelektualisht janë si sfungjeri që mund të thithë çfarëdo lloj substance. E këtu bëjnë pjesë sidomos fëmijët. Ja pse synohet që nënat të bëhen bartëse të fesë, pasi ato janë edukatorët kryesore të fëmijëve.

Në këtë frymë janë rritur edhe vajzat e shkollave të mesme, të cilat dolën në protestë. Me siguri janë të bindura se kanë bërë gjënë më të mençur dhe të duhur në jetën e tyre kur kanë mbuluar kokën. Mirëpo indoktrinimi i tyre është realisht cenimi i lirisë së tyre individuale.

Duhet thënë qartë se Ministria e Arsimit ka ndaluar simbolet fetare vetëm për shkollat fillore dhe të mesme, dhe jo për universitetet, pra për fëmijët dhe adoleshentët, mosha të pamaturuara, të manipulueshme dhe që s’janë në gjendje të marrin vendimet e duhura për jetën e tyre. Është mosha për të cilën të gjitha ligjet e shtetit kujdesen në mënyrë të veçantë. Mjafton të marrim në konsideratë Kodin Penal për të parë se sa të ndryshme janë penalizimet në rast se të miturit kryejnë krime, apo kur të tjerët kryejnë krime mbi ta, krahasuar me të rriturit.

E pra nëse i gjithë sistemi juridik këtë moshë e përkufizon me një emër, të mitur, përse Feja muslimane apo kushdo qoftë ajo nuk bën të njëjtën gjë? Në emër të lirisë, të asaj lirie për të cilën u protestua të premten, ta lënë mendjen e të miturve të lirë, që të bëjë zgjedhjet e saj deri atëherë kur të maturohet.

Por argumenti më i rëndësishëm mbetet gjithsesi ai i laicitetit. Shteti i Kosovës është laik dhe shkollat publike janë të tilla. Ky është vullneti i shumicës absolute në Kosovë dhe për këtë arsye duhet respektuar edhe nga ata pak muslimane që sot kanë përqafuar rrymat më ekstreme të fesë islame.

Ndërsa për Ministrinë e Arsimit, mënyra më e mirë për të zgjidhur këtë problem është që të bëjë të obligueshme uniformat shkollore për të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme.

(Autorja është analiste pranë gazetës Kosova Sot)