LAJMI I FUNDIT:

Shala i PDK-së akuzon Muratin se në heshtje i ndau mbi 757 mijë euro për AKP-në

Shala i PDK-së akuzon Muratin se në heshtje i ndau mbi 757 mijë euro për AKP-në
Ish-ministri i MMPH-së, Ferat Shala

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka akuzuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, që me një vendim të veçantë ka ndarë mbi 757 mijë euro për Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Përmes një postimi në Facebook, Shala ka shkruar se “si rezultat i lojërave propagandistike, për dy muajt e fundit, heshturazi, AKP dhe Hekuran Murati ishin dakorduar që ky i fundit të ndajë edhe 757.802 euro, për të mbuluar vendimin e kontestuar për zvogëlimin e pagave të punëtorëve i nxjerrë nga Bordi i AKP-së”.


Postimi i plotë:

Ministri Hekuran Murati me vendim të veçantë i ndanë AKP-së 757.802 euro për paga dhe mëditje, për muajt Nëntor-Dhjetor 2022

Në vitin kur të gjithë ne pritnim shuarjen e AKP-së, Qeveria dhe bordi i AKP-së kishin nxjerrë rregullore të re dhe kishin miratuar vendimin për uljen e pagave.

E vërteta del që AKP gjatë tërë vitit 2022 kanë realizuar pagat e njëjta, pa i zbritur ato fare.

Si rezultat i lojërave propagandistike, për dy muajt e fundit, heshturazi, AKP dhe Hekuran Murati ishin dakorduar që ky i fundit të ndajë edhe 757.802 euro, për të mbuluar vendimin e kontestuar për zvogëlimin e pagave të punëtorëve i nxjerrë nga Bordi i AKP-së.

Bordi i AKP-së po vazhdon shitjen e aseteve nacionale, me të njëjtën metodologji, me të njëjtën praktikë, pa ndryshuar asgjë nga praktikat e kaluara. /Telegrafi/