“Shaka” politike vs evropianësh
Semafori mbeti portokalli për politikën shqiptare, edhe pas ardhjes së Stefan Fyle, i cili pritej t’i jepte një mesazh të qartë Tiranës. E prej asaj dite, brishtësia politike në vend e krijuar artificialisht, nuk ka marrë ende një udhë drejt një kompromisi të gjerë. Të paktën kjo është kërkesa evropiane, që shpesh herë duket si shaka, paçka se me shije të hidhur (në Shqipëri kompromise të gjera s’ka pasur kurrë).
Sipas Fyle, zgjedhjet duhet të kenë transparencë dhe një transparencë e tillë duhet të bazohet mbi Kushtetutën. Kjo mjafton për të pozicionuar palët, e para (majtistët) u “ushqyen” me fjalë ndërkombëtarësh për të thënë se edhe ata kërkojnë transparencë. Por në këtë garë, nuk mbetën pas as maxhorantistët, duke u karikuar se transparenca bëhet mbi Kushtetutën.
Deri këtu, palët mbeten në pozicionin fillestar. Secila bashkohen në një pikë dhe po në atë pikë ndahen. Transparencë po, por ashtu siç dua unë thotë Sali Berisha, njëjtë edhe Edi Rama. E mjafton kjo për të vijuar këtë krizë politike, e cila fatmirësisht po qëndron në nivelet e larta të politikës dhe nuk prek pjesën militante të partive respektive? Për mua, liderët vizionarë atdhedashës, fshatin Ruzhdije do ta përmendin si shembull të infrastrukturës dhe zhvillimit dhe jo si “strofullën” e manipulimit të bashkëpunëtorëve të tyre, të cilët nuk janë ndjerë të aftë të garojnë ndershmërisht.
Ndaj, do të ndjeja keqardhje nëse disa komisionarë të bëheshin “kurban” të kapriçiove të x politikanëve që qëndrojnë pranë liderëve, vetëm e vetëm për të qenë kastë drejtuese në parti apo qeveri. Dhe në këtë mëkat elektoral, më të pafajshëm janë komisionarët e urdhëruar për të “votuar” në qarkun ku historikisht deputetët shtohen artificialisht. E përtej, gjetkë në Tiranë, top-fshatrat shërbejnë si marketing politik, por jo vetëm. Duket se “topi” i ka mbetur në derë vetë kryeministrit Berisha, i cili me sa duket gjendet “ngushtë” për t’i dhënë drejtimin e duhur, kësaj here pa asistencë ndërkombëtarësh.
Nga ana tjetër, Rama po kaq i bindur demonstron “vullnetin” e tij për transparencë, për të atë transparencë që na ka munguar prej dekadash dhe po kaq të tjera duket se do të na mungojë. Në fund të fundit, transparenca deri në fund nuk i intereson as vetë Ramës dhe aq më pak Berishës, ku Ruzhdija po i qëndron si një minë me sahat, e cila mund të dëmtojë reputacionin e tij politik. Në këtë pikë, ndërkombëtarët e kanë qartësuar se zgjidhja duhet të vijë prej tij, e në mos jo, jo pak “letra kredenciale” do t’i digjen.
A po vihet në provë Berisha? Mbase gjendet në një provë që po i kushton shumë, edhe pse optimist dhe një personalitet që ka ditur të manovrojë fuqishëm në 20-vite politikë. Ai është një lider, që në një mënyrë ose në një tjetër ka ditur të mbajë në një “grusht” partinë e tij dhe në jo pak vite edhe pushtetin. Ai është lideri, që ka afruar edhe armiqtë e betuar politikë, duke i “futur” nën urdhrat e tij.
Por, këtë radhë, Berisha gjendet përballë një prove të madhe, si pjesë e “borxhit” të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Një prove për të lëshuar kompromise, çka do të nxirrte shumë të pa lara, në mos të tij, të bashkëpunëtorëve. Apo një qëndrimi stoik, çka do të vijonte më tej krizën. E para, do ta dëmtonte jo pak imazhin e Partisë Demokratike dhe e dyta, për Shqipërinë do të ketë jo pak nota negative për të arritur standardet për liberalizimin e vizave.
Ndaj zgjidhja e krizës politike, më shumë se Ramës, i intereson Berishës. Nëse do të ketë një rrugëdalje, sigurisht që kredite do të ketë vetë kryeministri, dhe në fakt këtë po kërkon, përderisa rreket për alternativa dhe oferta, të tipit 100 prokurorë, etj. Në fillim u duk se zgjidhja do të vinte nga presidenti, por Berisha nuk është mësuar që sukseset e tij t’i ndaj me të tjetër. E inskenuar apo jo, kjo krizë duhet të ketë një zgjidhje përfundimtare. Berisha ka në dorë çelësin e portës së “hekurt” drejt Evropës ku në politikë konkurrohet me oferta dhe jo me manipulime zgjedhjesh.
Në fund të fundit, edhe Ruzhdija ishte një “shaka” politike e luajtur nga Tirana. Një “shaka” të tillë ndërkombëtarët e lanë po në tavolinën e Sali Berishës dhe Edi Ramës, ndaj po bëjnë shaka me deklaratat për rrugëzgjidhjen e krizës politike. Dhe po prej tyre, presin që të shtypin butonin jeshil të semaforit që i hap rrugë integrimit. E në mos jo, “miqtë” siç i quajmë zakonisht zyrtarët e lartë të BE-së apo SHBA-së, nuk mund të jenë aq të tillë sa ta duan Shqipërinë më shumë se sa vetë politikanët shqiptarë.



































