Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë vulosi legalitetin e shtetit të Kosovës në raport me ligjin ndërkombëtar, por Kosova, brenda vazhdon të sfidohet nga aktiviteti ilegal, që po vë në dyshim aftësinë e liderëve Kosovarë për të drejtuar vendin drejt njohjeve të reja dhe integrimit në strukturat më të rëndësishme globale.

Republikën e Kosovës po e presin ditë më të mira në politikën e jashtme. Falë mbështetjes nga shtet mike të vendit, u dëshmua se pavarësia e Kosovës ka bazë legale, ndaj i dha një goditje përpjekjeve që po penguan njohjet e reja. Megjithëse ky është një vendim historik nga i cili vendi do të përfitojë shumë, nuk mund t`i japim vetes komoditet dhe të bëhemi sikur gjithçka është në rregull, si ndodhi pas shpalljes së pavarësisë. Mendimi Këshillëdhënës i GJND-së në favor të legalitetit të shtetit të Kosovës, nuk do të ketë ndonjë ndikim afirmativ tek 5 shtet e BE-së që vazhdojnë të mos njohin vendin. Në këtë aspekt Greqia mbase mund të ndryshoj kursin, por retorika kundër njohjeve të vendit vetëm sa do të fuqizohet edhe më shumë tani. Pra, përderisa mendimi pozitiv për Kosovën i GJND-së na gëzon shumë dhe është një arritje e madhe e vendit, kohë për të festuar nuk kemi... Duhet të lëvizim dhe të insistojmë që BE-ja të gjejë konsensus për Kosovën në mënyrë që vendi të ecë përpara në integrimin evropian. Vendimi tjetër që do të duhej të merret tani nga institucionet e vendit pas mendimi të GJND-së është refuzimi i kërkesës për bisedime kinse teknike me Serbinë.


Mendimi Këshillëdhënës i GJND-së është një momentum politik për Kosovën, të cilin ne duhet ta shfrytëzojmë përmes një fushate intensive diplomatike për të vendosur rolin tonë në arenën ndërkombëtare, për të nisur procese anëtarësimi në organizata ndërkombëtare si dhe mbi të gjitha për të kërkuar njohje të reja. Mendimi i GJND-së nuk do të ndryshoj mendimin dhe mënyrën se si shumë shtete e shohin Kosovës, si një vend i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Përderisa ne jemi pastruar sa i përket legalitetit në raport me ligjin ndërkombëtar, kemi probleme serioze me legalitetin në Kosovë. Mendimi i GJND-së i hapë rrugë shtetit të Kosovës që me një politikë të mirëfilltë dhe konkrete të shtrijë autoritetin në të gjithë territorin e vendit që ka munguar tash e 11 vjet dhe përbën një hapësirë të madhe ilegale brenda Kosovës. Por jo vetëm kjo. Nga janari deri në qershor Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka raportuar se në Gjykatat dhe Prokuroritë e Kosovës janë deponuar 119 raste që lidhen me korrupsion, nga këto vetëm 10 prej tyre janë zgjidhur. Nga ana tjetër Policia e Kosovës ka përcjell në Prokurori 68 raste, kurse Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit që nga vitit 2007 ka proceduar në Prokurori 184 dosje për 184 individë në mesin e të cilëve dosje për 6 ministra dhe ish-ministra, 9 sekretar permanent, 3 këshilltar politikë si dhe 47 zyrtar të prokurimit. Shumica e këtyre zyrtarëve që kanë dosje në prokurori vazhdojnë të kryejnë punët e tyre, përderisa vendi është në procese të rëndësishme.

Së fundi kemi qenë dëshmitar të shumë bastisjeve nga ana e EULEX-it, por edhe lënies në liri me kaucion. Pra, fushatë në stilin “arrestim paradite, lirim me kusht pas dite”. Një praktikë e tillë e EULEX-it, duket se po devalvon përpjekjet për sjelljen para gjyqit të të gjithë personave të inkriminuar në veprime të çfarëdoshme antiligjore. Për më tepër EULEX-i duhet t`i vejnë në ballë të aksioneve organet kosovare të hetuesisë dhe Policinë për ta ndërtuar logjikën se duhet ne që jetojmë këtu t`i themi stop krimit. Kuvendi miratoi Ligjin për Gjykata, një hap shumë i rëndësishëm drejt fuqizimit të Gjyqësorit në Kosovë, Ligji për Prokurorinë, Ligji për Partitë Politike, Ligji për Konfisikimin e Pasurisë së Paligjshme si dhe së fundi nisma për Ligjin Anti-Mafia janë nisma legjislative shumë të rëndësishme të cilat duhet jenë prioritet numër 1 për të gjitha institucionet.
Megjithëse rezultati nga GJND-ja është i rëndësishëm, është një hap i vogël që duhet shoqëruar me hapa më të mëdhenj në pastrimin e brendshëm të vendit nga krimi i organizuar dhe korrupsioni. Është koha për legalitet të brendshëm, sepse GJND-ja nuk është stacioni i fundit ku është ndalur Kosova, ndërkohë që rezultati nga ky proces nuk do të thotë të jetë i njëjtë në përballjet e ardhshme.

(Autori është drejtor ekzekutiv i Lëvizjes FOL)