…kohëve të fundit mundohemi të jemi shumë avangardë, nganjëherë gabojmë duke u munduar të ecim disa hapa më përpara. Realiteti jetësor na bën të mendohemi nëse duam të jemi vetja ose të shtiremi dikush tjetër. Në një shoqëri si kjo në Kosovë, fatkeqësisht politika shtetërore ka ndërtuar një Hollywood të veçantë me të cilin merremi çdo ditë. Besoj shumë prej jush, kur keni lënë anash problemet dhe rutinën jetësore keni pasur rastin të përplaseni me serialin e famshëm amerikan “SEX AND THE CITY”, dhe se fundmi edhe me versionet filmike të tij. Personazhet dhe karakteret e këtij kasti televiziv janë tërësisht atome të kundërta të cilat tërhiqen afër një bërthame. Por çka do të ndodhte, sikur disa nga personazhet kryesore të këtij produksioni, t’i krahasonim me udhëheqësit e Republikës së Kosovës?!..

Ju ftoj të jeni pjesë e një këndvështrimi, i cili pak do t’ju duket ekstrem, ose ndoshta edhe i qëlluar…!


Sarah Jessica Parker, e njohur për rolin e saj “Carrie Bradshaw”, një femër tipike njujorkeze e cila është narratorja kryesore e ngjarjeve në film. Moda dhe veshjet janë pasioni i saj por veten e gjen më mirë si shkrimtare. Dikur, pati një lidhje 10 vjeçare gjatë 10 viteve serial, dhe regjisori Michael Patrick King në versionin filmik në vitin 2008 vendosi ta martonte më në fund. Mirëpo, plani martesor ishte paksa i jashtëzakonshëm, një organizim i cili ndryshoi rrjedhat sociale mes çiftit. Lakmia, dhe synimi i majave të larta mund të rezistojë në humbje. Mos rastësisht, kjo ju kujton paksa, ndarjen dhe problemet në LDK?
Por, jam në dilemë nëse Nexhat Daci duhet ta luaj rolin e Carrie Bradshaw? Besoj, vetëm punën e rrëfimit do ta kishte problem për arsye se tempi i tij i t’lexuarit do ta zgjeronte paksa hapësirën e serialit, por sidoqoftë karakteristikat e tjera të personazhit i përputhen plotësisht.

Cynthia Nixon, flokëkuqja e grupit në rolin e Mirandës, mua personalisht më ngjan me Jakup Krasniqin. JO çuditërisht, Miranda është një person e cila shpesh zhytet në vendet dhe evenimentet ku ndihet më e ultë se të tjerët. Eksperienca e saj e ultë në sex si pasojë e gjumit të tepruar, dikur ndikonte thellë në lidhjen e saj martesore, por në fakt çdo gjë u rregullua atëherë kur ajo gjeti një punë të mirë, me karrige lëkure dhe shtëpi të rehatshme në Brooklyn. Pas një kohe të shkurtë, ajo mësoi edhe emrat dh adresat e të gjitha butiqeve dhe restoranteve luksoze në New York dhe për këtë ajo u falënderohet më së shumti mikeshave të saj,të cilat pak nga pak e ndërtuan si person.

Samantha Jones, roli më sensacional në Sex and the City. E çmendur pas famës, parasë, luksit dhe seksit. Biondina e cila interpretohet nga Kim Cattrall ndoshta na përputhet me disa nga politikanët tonë por roli i saj do ti përshtatej më së shumti, kryeministrit tonë Hashim Thaçit, jo vetëm pse Samantha vuan nga kompleksi i të qenurit seksi por gjithashtu sepse komplekset i mbulon me kartelat e kredit të njërit prej dashnorëve të saj të përkohshëm. Unë nuk besoj që Thaçi vuan nga ndonjë kompleks, përveç mekanizmit të tepruar me duar, të cilin në fakt Samantha Jones në serial e interpreton ndryshe dhe në mënyrë më të censuruar.

Charlotte York, personazhi më i krehur në Sex and the City që në versionin tonë politik prezanton presidentit Fatmir Sejdiun. Charlotte, gruaja e cila kohën më të madhe ia kushton vajzës dhe investimeve në familje. Shpesh herë mundohet që termet “e ndaluara” që shoqet e saj përdorin para vajzës së vogël ti censurojë me figura nga filma vizatimorë. Por kjo nuk do të thotë që ajo i shmanget seksit apo harxhimeve. Përkundrazi, kur vajza e saj e vogël futet në gjumin e thellë, për të fillon një pjesë krejt tjetër e skenarit. Por, shpesh ndodh që kur Charlotte të jetë afër pikave më të nxehta me burrin e saj, Samantha e merrte në telefon. Rrëfehej dhe qante rreth problemeve dhe planeve. Ups…!!!Kjo i bie që kryeministri do ta bënte këtë ndaj Presidentit…!!!

Kështu ndërtova unë, pikëpamjen time rreth Sex and the City me disa nga aktorët më të famshëm në qeverinë e Kosovës dhe në fakt vendosa që këtë version ta emëroja më mirë si “SEX AND THE GOVERNMENT”, duket më fuqishëm dhe më real, ose thjesht origjinal.

Ndoshta e kam tepruar paska me këtë formulë krahasimi, por kërkoj nga personazhet të marrin anën pozitive të shkrimit dhe të ndjehen krenarë që për herë të parë në jetë janë krahasuar me yje Hollywoodi.