Sevilla po synon transferimin e veteranit të Real Madridit duke i ofruar një kontratë dy vjeçare

E ardhmja e Lucas Vazquez tek Real Madridi është bërë tejet e pasigurt dhe tashmë raportohet se Sevilla i është bashkuar garës për të siguruar shërbimet e tij, sipas Fichajes. Kapiteni i klubit, kontrata e të cilit me Real Madridin skadon në 2025, është lidhur me disa klube të ndryshme, por Sevilla duket një kandidat i fortë për të siguruar nënshkrimin e tij. I njohur për aftësitë e tij për të mbuluar disa pozicione në fushë, Vazquez ka qenë një aset i çmuar për Real Madridin për gjatë viteve. Spanjolli është në gjendje që të luajë si sulmues i djathtë e po ashtu edhe si mbrojtës i djathtë, teksa ka kontribuar mjaft shumë në sukseset e klubit.
Sidoqoftë, me ardhjen e blerjeve të reja dhe me rritjen e konkurrencës brenda skuadrës, roli i tij në skuadër do të zbehet sezonin e ardhshëm. Ky ndryshim i rrethanave mund të bëjë që lojtari të konsiderojë opsionet e tij. Raportimet sugjerojnë se Sevilla është e gatshme t’i ofrojë atij një kontratë dy vjeçare, duke i dhuruar atij një mundësi që të vazhdojë të konkurrojë në La Liga, duke i siguruar edhe stabilitet financiar.






















































