E pyetur nga gazeta serbe “Novosti“, nëse të martën do të jetë ballafaqimi i fundit i qëndrimeve të kryeministrit serb Ivica Dacic me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, për temën më të rëndë që ka të bëjë me pozicionin e bashkësisë serbe në veri, Kocijancic ka përkujtuar deklaratën e baroneshës Ashton se “takimi i së martës do të jetë raundi përmbyllës lidhur me çështjet e parapara për këtë format të dialogut”.

“Porosia e përfaqësueses së lartë të BE-së është mjaft e qartë”, ka thënë Kocijancic, pa lënë hapësirë për dyshime.


Propozime të reja deri tash nuk ka. Ndërsa, krejt ccështja për të cilën është duke u folur është ajo të cilën kaherë e ka ofruar në planin e tij Martti Ahtisaari. Ndërsa, brenda atij plani nuk ka as për së afërmi kompetenca për Bashkësinë e komunave serbe në veri, krahasuar me ato që kërkon Beogradi.

Derisa kreu shtetëror serb mban takime të vazhdueshme, ndërmjetësit në dialog po pushojnë.

Ndërkohë pritet që raundi i tetë të jetë shumë i vështirë dhe i tensionuar. Sipas burimeve të gazetës serbe në Bruksel, duhet pritur një takim të gjatë, por duke tërhequr vërejtjen se ai mund të mos përfundojë të martën.

“Raundi i ardhshëm është paralajmëruar si përfundimtar. Kjo ka të bëjë me situatën nëse arrihet marrëveshja. Mirëpo, në rast se edhe kësaj radhe nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare, nuk është në interesin e askujt që të shpall dështimin e dialogut, e të mos shfrytëzohet edhe ndonjë rast për një takim të ri, sepse ka ende kohë deri në raportimin e Komisionit Evropian në Këshillin e Ministrave”, citon gazeta serbe burimet e saj nga Brukseli. /Telegrafi/