LAJMI I FUNDIT:

Serbia është shumë prapa në zbatimin e IBM-së

Serbia është shumë prapa në zbatimin e IBM-së

Delegacioni i Qeverisë së Kosovës, nën kryesimin e ministres për dialog, Edita Tahiri, ka zhvilluar takim më palën serbë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE), për zbatimin e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit në mes Kosovës dhe Serbisë.

Temë qendrore e këtij takimi ishte shqyrtimi i progresit për procesin e ndërtimit të ndërtesave të përhershme të IBM-së.


Në komunikatën e dërguar nga Zyra e kryeministrit të Kosovës, thuhet se kryesuesi i BE-së, Bernd Thran, në takim ka theksuar rëndësinë e progresit të arritur, duke vlerësuar si një zhvillim shumë të rëndësishëm për rritjen e efikasitetit në fushën e menaxhimit të integruar të kufirit.

Delegacioni i Republikës së Kosovës, sipas këtij njoftimi ka prezantuar progresin e arritur në përmbushjen e obligimeve të saj, duke vlerësuar bashkëpunimin konstruktiv me UNOPS-in dhe zyrën e BE-së në Kosovë.

“Delegacioni i Kosovës theksoi veprimet që i ka ndërmarrë me qëllim të zbatimit sipas planit të ndërtimit të objekteve të përhershme, duke kryer me sukses shpronësimin e parcelave ku do të ketë ndërtime, pastaj takimet që i ka zhvilluar me akterët e brendshëm dhe me UNOPS-in, agjenci kjo e përzgjedhur nga ana e BE-së për zbatimin e këtij projekti. Delegacioni i Kosovës konfirmoi se është hartuar plani i dinamikave të ndërtimit, është arritur pajtueshmëria për projektimin dhe janë diskutuar detajet e funksionimit sa më të përshtatshëm të pikëkalimeve kufitare sipas standardeve më të larta për autoritetet shtetërore që operojnë në pikë kalime kufitare”, thuhet në komunikatë.

Sipas kësaj komunikate, UNOPS e bëri prezantimin e përgjithshëm të progresit në projekt, duke e vlerësuar lartë bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës në të gjitha fazat e zbatimit, si dhe duke theksuar efektivitetin e palës së Kosovës për të gjitha çështjet e trajtuara së bashku.

“UNOPS në anën tjetër konstatoi se pala serbe është shumë më mbrapa me fillimin e punës konkrete me UNOPS-in për këtë projekt. UNOPS do të përfshi ndërtimin e të gjitha gjashtë pikëkalimeve kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Në këtë takim u raportua po ashtu për progresin në hapjen e pikëkalimeve të reja kufitare, Kapi e Sfircës që lidhë komunën e Kamenicës me Medvegjën dhe Izvor në pjesën veriore, me ç‘rast të dy palët konfirmuan hapjen e këtyre dy pikë kalimeve të reja kufitare deri në fund të muajit shtator 2016”, përfundon ky njoftim. /Telegrafi/