“Unë mendoj se përgjigjja pozitive apo negative e Vuçiqit do të varet se çfarë i sjell më shumë dëme politike. Një provë se sa presion të jashtëm ka mbi Vuçiqin, mund të jetë se si MPB-ja dhe prokuroria do të veprojnë në bazë të urdhrit të INTERPOL-it dhe në cilin moment. Nëse ai arrestohet tani, do të thotë se presioni është i madh. Nëse e vonon, mund të konkludojmë se presioni nuk është aq serioz”, tha për RTK avokati serb Aleksandar Olenik.

Pasi mori përgjegjësinë për Banjskën, Radoiçiq në Serbi u akuzua për disa krime të rënda, por jo për atë sulm. Ai u urdhërua të mos largohet nga Serbia.

Aktakuza kundër Radoiçiqit brenda tre muajve të parë të vitit 2024
Lexo po ashtu Aktakuza kundër Radoiçiqit brenda tre muajve të parë të vitit 2024

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq tha se Radoiçiq do të përballet me procedura serioze në Serbi, mirëpo detaje të tjera nuk ka.

Një pjesë e opozitës thotë se u krijua një situatë shumë e pakëndshme për Serbinë.

“Për shkak të politikave të Vuçiqit prapë janë kthyer kërcënimet mbi Serbinë. Vuçiq duhet t’u shpjegojë qytetarëve pse INTERPOL-i kërkon Radoiçiqin dhe 11 persona të tjerë dhe të thotë se çfarë ndodhi në Banjskë. Por pritjet e mia janë të kota, sepse kemi të bëjmë me një regjim që është i njëjti që gjatë viteve të nëntëdhjeta e rëndoi Serbinë me hipotekat e politikave katastrofale dhe shkatërruese”, tha Srgjan Milivojeviq, deputet nga Partia Demokratike në Serbi.

Një pjesë e opinionit në Beograd pyet nëse në Evropë heshtja e Serbisë do të interpretohet si fshehje e veprave kriminale dhe se a mund të flitet për një shtet ligjor në rast të mosrespektimit të vendimeve të Interpol-it.