LAJMI I FUNDIT:

Serbët marshojnë kundër NATO-s në Beograd

Serbët marshojnë kundër NATO-s në Beograd

Qytetarë të shumtë serbë kanë vërshuar drejt qendrës së Beogradit në një marshim kundër NATO-s dhe për të shfaqur mbështjen për pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Ata i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për protestë të grupit të ekstremistëve të djathtë “Patrulla e Popullit” duke mbajtur pankarta “Krimeja është Rusi”, “Kosova është Serbia” dhe “Serbi, Rusi, nuk kemi nevojë për Bashkimin Europian” dhe kanë ecur nga qendra e kryeqyteti drejt Ambasadës ruse.


Sipas Radio Evropa e Lirë, një punonjëse e ambasadës ruse në Beograd ka falenderuar protestuesit, të cilët në shkëmbim kanë brohoritur ‘Serbët dhe Rusët, vëllezër të përjetshëm’.

Protesta është organizuar në përvjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në ish-federatën Jugosllave, e cila kulmoi me bombardimin e godinës së Shtabit të Përgjithshëm në Beograd në vitin 1999.

“Ne vazhdojmë të qëndrojmë këtu përpos të gjithave dhe ne e dimë se kush janë miqtë dhe armiqtë tanë”, deklaroi Damnjan Knezevic, një prej organizatorëve të protestës.

Të pranishëm kanë qenë dhe disa veteranë të luftës të cilët akuzuan shtetit se kishte ‘harruar ata që luftuan për Serbinë’.

Kur është përmendur presidenti Aleksandar Vuçiq, protestuesit kanë brohoritur ‘tradhëtar’.

Patrulla e Popullit janë një grup i së djathtës ekstreme që promovojnë frymën nacionaliste, urrejtjen fetare dhe lartësimin e kriminelëve të luftës.

Ata janë shfaqur për herë të parë në 2020 me organizimin e protestave në disa qytete ku kundërshtonin ardhjen emigrantëve.