Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj tre të pandehurve, A. S., R. A. dhe R. Z., për shkak të dyshimeve për kultivim të paligjshëm të bimës së kanabisit dhe mbajtje të paautorizuar të armëve.

Sipas njoftimit të gjykatës, më 23.08.2025, rreth orës 15:00 në fshatin Vërbicë e Zhegovcit të Komunës së Gjilanit, të pandehurit pa autorizim kanë kultivuar bimën e kanabisit, ku gjatë një kontrolli në shtëpinë e të pandehurit A. S., në brendësi të serave të ndërtuara, janë gjetur të kultivuara 496 bimë të këtij lloji, me gjatësi 2 metra.


Të pandehurit dyshohen për veprën penale “kultivimi i bimës së Hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” nga neni 272 paragrafi 1 dhe neni 31 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërkohë, ndaj të pandehurit A. S. rëndon edhe akuza për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas nenit 366 paragrafi 1 të KPRK-së.

Gjykata ka theksuar se masa e paraburgimit është e domosdoshme për shkak të rrezikut që të pandehurit mund të ndikojnë në procedurën hetimore.

“Nëse të pandehurit lihen në liri, të njëjtit do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në njëri-tjetrin,” thuhet në njoftim.

Në rastin e të pandehurit R. A., gjykata ka arsyetuar se në momentin kur e ka kuptuar se zyrtarët policor kanë arritur në vendngjarje, i njëjti ka tentuar të ikë, por është arrestuar, çka sipas gjykatës përbën rrezik të arratisjes.

Gjithashtu, duke marrë parasysh rrethanat se ndaj të pandehurve evidentohen disa raste për vepra tjera penale, ekziston edhe rreziku i përsëritjes së veprës.

Gjykata ka vlerësuar se masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale, ndaj ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit për caktimin e paraburgimit.

Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit. /Telegrafi/