Sekuestrohen bimë narkotike, dy peshore digjitale dhe para - arrestohet një person në Gjilan

Prokuroria Themelore në Gjilan, departamenti për Krime të Rënda në bashkëpunim me DHTN - Gjilan, sot ka zbatuar urdhrin për kontroll të Prokurorit kujdestar, me ç’rast tek i dyshuari me inicialet L.H, janë gjetur dhe sekuestruar pasuri e specifikuar.
Përmes një njoftimi për media bëhet e ditur se po ashtu janë gjetur dhe sekuestruar edhe një revole e markës Zoraki 917 - T, tri vazo plastike (të improvizuara nga shishja e plastikës) me bimë të sapo mbjellë narkotike, një qese plastike me 39 gram marihuanë, një qese plastike me 23.6 gram kokainë, dy peshore digjitale, dy telefona të markës IPHON, një çantë e zezë krahu, bankënota 4 x 50 euro, 11 x 20 euro, 12 x 10 euro, 8 x 5 euro dhe disa monedha metalike - gjithsej 589.33 euro.
Në njoftim thuhet se nga ky operacion është arrestuar një person, lidhur me dyshimin e kryerjes së veprave penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’, veprën penale ‘Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit’, dhe veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.
Ndërkaq, i dyshuari me vendim të Prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë dhe ndaj të cilit brenda afatit ligjor do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit. /Telegrafi/








































