Vetëm një ditë para finales së Kupës së Botës për Klube, mesfushori i Chelseat, Cole Palmer, është parë duke lëvizur me trotinet nëpër Times Square, duke u përzier mes turistëve dhe kalimtarëve në zemër të Manhattanit.

I veshur me rroba sportive dhe me kapuçin mbi kokë, 23-vjeçari dukej i relaksuar dhe i shkujdesur, pavarësisht se ndeshja më e madhe e sezonit po afrohej. Pamjet e tij në rrugët e Nju Jorkut u bënë shpejt virale, duke nxitur reagime të ndryshme nga tifozët në rrjetet sociale.


Disa tifozë e morën me humor, duke e këshilluar me shaka Palmerin që të "fiksohej" tek finalja, ndërsa të tjerë u shprehën të shqetësuar për rrezikun e mundshëm të një dëmtimi të papritur para ndeshjes.

Por çdo frikë u shua shpejt. Në finalen kundër Paris Saint-Germain, Palmer ishte protagonisti kryesor i fitores madhështore të Chelseat me rezultat 3-0. Ai realizoi dy gola dhe dhuroi një asist, duke u konfirmuar si një nga lojtarët kyç të kësaj sfide.

Kjo performancë spektakolare i dha Chelseat titullin e parë në historinë e tyre në formatin e ri të Kupës së Botës për Klube me 32 skuadra, si dhe një shpërblim prej 40 milionë eurosh.

Pavarësisht lëvizjes së papritur nëpër rrugët e Nju Jorkut me trotinet, Cole Palmer dëshmoi se ishte i gatshëm të zotëronte skenën më të madhe të sezonit. /Telegrafi/

telegrafi sport app