Seanca gjyqësore ndaj Hashim Thaçit caktohet më 28 nëntor, reagon OVL e UÇK-së

OVL e UÇK-së ka shprehur indinjatën dhe zhgënjimin e thellë për faktin që Dhomat e Specializuara në Hagë kanë caktuar mbajtjen e një konference përgatitore ndaj ish-Presidentit të vendit, Hashim Thaçi, pikërisht më 28 Nëntor.
Përmes një reagimi në rrjetin social në Facebook është bërë e ditur se 28 nëntori është dita kur Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ngriti flamurin në Krujë, duke shënuar ringritjen e shqiptarëve.
“Është dita e Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindja e komandantit tonë Adem Jashari, dhe data e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për ne, kjo datë nuk është vetëm një simbol kombëtar, është një identitet i tërë, i mbështetur mbi gjak, sakrificë dhe krenari”, thuhet në postim.
Po ashtu në postim bëhet e ditur se për OVL UÇK, mbajtja e një seance gjyqësore në këtë datë përbën fyerje të ndjenjave tona kombëtare dhe shpërfillje të realitetit historik të popullit të Kosovës.
“Kjo zgjedhje e panevojshme dhe e pakuptimtë vetëm sa e thellon bindjen se Dhomat e Specializuara vazhdojnë të tregojnë mungesë ndjeshmërie dhe një qasje të njëanshme ndaj historisë sonë çlirimtare dhe ndaj atyre që udhëhoqën luftën për liri”, thuhet ndër të tjera në postim. /Telegrafi/



































