LAJMI I FUNDIT:

Schütz: Për të arritur në BE duhet punuar, Shqipëria duhet t’i plotësojë disa kushte

Schütz: Për të arritur në BE duhet punuar, Shqipëria duhet t’i plotësojë disa kushte

Afrimi i Ballkanit Perëndimor me BE-në është vendim strategjik dhe ka qenë në krye të agjendës së Gjermanisë si presidente e radhës e BE-së.

Ambasadorja Susanne Schütz, e ngarkuara për Evropën Juglindore në Ministrinë e Jashtme Gjermane për Deutsche Welle ka thënë se për të arritur në Bashkimin Evropian (BE) duhet punuar.


Ajo tha se Shqipërisë i mungon plotësimi i disa kushteve.

“Afrimi i Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian, si një vendim strategjik shumë i rëndësishëm për rajonin, por edhe për ne, ka qenë krejt në krye të agjendës së Gjermanisë vitin e kaluar. Duke hedhur një vështrim retrospektiv në vitin 2020 jemi të kënaqur që në Ballkanin Perëndimor janë bërë përparime të rëndësishme. Megjithëse njerëzit në rajon ka mundësi që të kenë shpresuar për më shumë, duhen parë sukseset dhe jo dështimet. Kështu në muajin mars u mor vendimi i rëndësishëm nga vendet anëtare të BE për fillimin e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, një vendim i rëndësishëm politik që u arrit pas disa herësh. Vetëkuptohet që ne do të kishim dëshiruar që tani në fund të vitit të zhvilloheshin konferencat e para të pranimit. Në këtë rrugë ne kemi ecur shumë me të dy vendet. Shqipërisë i mungon plotësimi i disa kushteve, të cilat mund të plotësohen në fillim të vitit tjetër, këto janë shpresat tona. Në rastin e Maqedonisë së Veriut jemi shumë të zhgënjyer, që nuk arritëm të gjenim një kompromis, megjithë punën intensive që bëmë me të dy vendet, me Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut”, ka thënë ajo.

Deutsche Welle: Ju thatë se Shqipërisë i mungon plotësimi i disa kushteve? Për cilat kushte bëhet fjalë?

Schütz: Shteti juridik është natyrisht një temë e rëndësishme. Në rastin e Shqipërisë puna është po ashtu tek aftësia e funksionimit të gjykatave të nivelit të lartë, pra Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Prandaj ne e përshëndetim Shqipërinë që emëroi gjykatësin e gjashtë të Gjykatës Kushtetuese, dhe që Gjykata Kushtetuese mund të funksionojë sërish. Jemi duke pritur që e njëjta gjë të ndodhë shpejt edhe për Gjykatën e Lartë. Ky është një kusht i rëndësishëm që shtetet anëtare të BE-së të japin aprovimin për hapat e tjerë.

Deutsche Welle: Berlini është në shumë çështje pikë orientimi për Ballkanin Perëndimor, ekonomikisht, politikisht, prandaj dhe pritej shumë nga presidenca gjermane e radhës në Këshillin e BE. Si do ta përdorni në të ardhmen këtë forcë dhe besim?

Schütz: E rëndësishme ka qenë këtë vit që po mbaron, që ne e patëm Ballkanin Perëndimor shumë lart në agjendën e BE-së dhe treguam me politikën tonë se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është për ne një synim strategjik.

Dhe ne do ta vazhdojmë këtë politikë në mënyrë aktive edhe vitin e ardhshëm, megjithëse nuk do të kemi presidencën në Këshill. Kështu për vitin e ardhshëm Gjermania ka marrë përsipër kryesimin e procesit të Berlinit, i nisur në vitin 2014 me iniciativën gjermane së bashku me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe disa partnerë të BE. Ne do ta ndërthurim punën tonë me vendimet e marra në takimin e fundit të Procesit të Berlinit, të mbajtur në Sofie, që u mbështet me sukses në tregun e përbashkët rajonal të krijuar nga gjashtë vendet dhe vendosi të krijojë një “Agjendë të gjelbër”.

Deutsche Welle: Për njerëzit në rajon i gjithë ky proces po merr shumë kohë, sidomos për të rinjtë që i kthejnë kurrizin vendit të tyre. Si mund të mbahen të rinjtë të motivuar që të mos largohen. Çfarë duhet bërë?

Schütz: Kjo është një pyetje e rëndësishme, me të cilën ne u morëm në fund të tetorit në kuadër të një konference për rininë, migracionin dhe demografinë, së bashku me përfaqësues nga qeveria dhe shoqëria civile. Aty u tha se mungesa e shtetit ligjor dhe korrupsioni janë shkaqe të rëndësishme që nxisin migracionin. Ne do të merremi më këtë gjë në kuadër të mbajtjes së kryesimit në Procesin e Berlinit, dhe do të vazhdojmë dialogun me shoqërinë civile dhe rininë. Natyrisht që do t’U kërkojmë herë pas here qeverive të rajonit që të respektojnë parimet e shtetit juridik dhe të luftojnë më shumë korrupsionin. Këtyre u shtohen elemente të tjera, për shembull çështjet e sistemit të arsimit dhe luftimi i papunësisë. E rëndësishme është që tek këto vende të arrihen kushtet që t’u krijojnë perspektiva për të ardhmen njerëzve me gjithë familjet e tyre.

Deutsche Welle: Çfarë prisnin nga politikanët e Ballkanit Perëndimor vitin që vjen, vitin 2021, që të kenë vënë në jetë të gjitha temat për të cilat folëm ne këtu? Dhe pjesa e dytë e pyetjes është, çfarë ofroni ju për këtë?

Schütz: Mesazhi që i jepet rajonit është: ju keni përpara perspektivën për t’u bërë anëtarë të BE. Si qeveritë edhe njerëzit në rajon kanë marrë vendim shumë të qartë pro kësaj. Por për të arritur atje duhet punuar. Përparime në shtetin juridik, pavarësi e drejtësisë dhe e mediave, luftimi i kriminalitetit të organizuar dhe korrupsionit që janë në interes të vetë vendeve dhe të popullsisë. Pranimi i BE-së është pranimi i një komuniteti vlerash dhe standardesh. Këtë kërkojnë njerëzit në rajon nga qeveritë e tyre. Dhe nga kjo gjë do të maten qeveritë e Ballkanit Perëndimor vitin e ardhshëm.

Në trend Lajme

Më shumë
Ambasadori i Finlandës: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të bëhet realitet

Ambasadori i Finlandës: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të bëhet realitet

Lajme
“Veriu nuk e mbulon korrupsionin në institucione”, analistët komentojnë raportin e DASH-it për Kosovën

“Veriu nuk e mbulon korrupsionin në institucione”, analistët komentojnë raportin e DASH-it për Kosovën

Lajme
28 vite burgim dhe mbi 50 mijë euro gjobë ndaj shtatë të akuzuarve për kultivimin të bimëve narkotike dhe posedim të marihuanës

28 vite burgim dhe mbi 50 mijë euro gjobë ndaj shtatë të akuzuarve për kultivimin të bimëve narkotike dhe posedim të marihuanës

Drejtësi
'Çmontohet' rrjeti i drogës në Spanjë, 14 të arrestuar përfshirë edhe shqiptarë që transportonin tonelata me kanabis në Evropë

'Çmontohet' rrjeti i drogës në Spanjë, 14 të arrestuar përfshirë edhe shqiptarë që transportonin tonelata me kanabis në Evropë

Lajme
Tension në Kuvend mes PDK-së e LVV-së, Shala ia ndalon fjalën Kusari-Lilës – nënkryetarja thërret sigurimin

Tension në Kuvend mes PDK-së e LVV-së, Shala ia ndalon fjalën Kusari-Lilës – nënkryetarja thërret sigurimin

Lajme
Alarmi i Alicia Kearns për Ballkanin, politologët komentojnë deklaratën e deputetes britanike

Alarmi i Alicia Kearns për Ballkanin, politologët komentojnë deklaratën e deputetes britanike

Lajme
Kalo në kategori