Dikur familja Cakrani, në zonën e Myzeqesë kishte saraje, por mungonte një imazh se si ishin ato saraje, çfarë forme kishin dhe si ishin ndërtuar. Së fundi në Australinë e largët është bërë vërtetë një zbulim jo i vogël. Në arkivat familjare të pasardhësve të personave të emigruar atje pas Luftës së Dytë Botëror kanë sjellë në Shqipëri jo thjesht një fotografi historike, por një dokument me vlerë se çfarë godinash janë ndërtuar dikur në Shqipëri dhe që për fat të keq janë shkatërruar dhe nuk ekzistojnë më.

Këto saraje i përkisnin Hajredin bej Cakranit një prej firmëtarëve të Aktit të Pavarësisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë dhe ministër i Thesarit në Qeverinë e Ismail Qemal Vlorës.

Kujtim Cakrani, një nga pinjollët e familjes Cakrani e bëri dje publike këtë fotografi në emisonin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku.

Historia e trishtë e familjes Cakrani vijon me faktin se pas instalimit të regjimit komunist persekutimi i kësaj familjeje arriti deri në shkatërrimin e këtyre sarajave që ishin të jashtëzakonshme për nga vlerat arkitekturore. Sipas të dhënave, kjo godinë tepër e rrallë në Shqipëri është ndërtuar në vitin 1915 nga inxhinierë austriakë që ndodheshin në Shqipëri në atë kohë dhe që kishin miqësi me familjen Cakrani. Godina është pak a shumë e tipit kështjellë me tri kate të larta, me katër kulla të vendosura në cepat e një katërkëndëshi me kulme dhe godina ka një çati e tipit alpin.

Arrestimet, internimet dhe përndjekja e familjes Cakrani për shkak të mbështetjes që i dha Ballit Kombëtar arriti deri në hedhjen në erë të kësaj godine që aktualisht i kanë mbetur vetëm themelet. /Tema/