Samsung po fillon të prodhojë ekrane të palosshme për një "klient nga Amerika", ndoshta Apple

Nëse thashethemet rezultojnë të vërteta, Apple mund të prezantojë një iPhone të palosshëm vitin e ardhshëm, i cili aktualisht njihet si iPhone Fold.
Ky telefon pritet të përdorë një panel OLED fleksibël, të prodhuar nga Samsung Display, transmeton Telegrafi.
Lee Cheong, president i Samsung Display, konfirmoi prodhimin masiv të paneleve OLED për telefonat e palosshëm, të cilët do t'i dërgohen një klienti të Amerikës së Veriut.
Edhe pse Cheong nuk zbuloi emrin e kompanisë, besohet të jetë Apple.
iPhone Fold i përfolur i Apple thuhet se do të ketë një ekran të jashtëm 5.5 inç dhe një ekran të brendshëm të palosshëm 7.8 inç.
Ai gjithashtu duhet të ketë një sensor Touch ID të montuar anash në vend të Face ID.
Nëse u besohen thashethemeve, iPhone i palosshëm do të debutojë në shtator 2026 së bashku me serinë iPhone 18, megjithëse afati kohor mund të ndryshojë ende. Çmimi pritet të kalojë 2,000 dollarë. /Telegrafi/




















































