Samiti i Berlinit me rëndësi të dyfishtë për Kosovën

“Pas Samitit të BE-së në Selanik 2004, ky është takimi më i rëndësishëm politik lidhur me problematikën dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Specifika e tij lidhet me shndërrimin e problematikës rajonale në problematikë prioritare evropiane, me rikthimin gjerman si fuqi me interes dhe ndikim rajonal, si dhe me përcaktimin e një agjende të re bashkëpunimi jo vetëm politike”, thotë analisti Afrim Krasniqi.
Ai konsideron se për shqiptarët rëndësia e tij është e dyfishtë.
“Kosova pranohet si subjekt i barabartë rajonal dhe njohja e saj përcaktohet kusht për Serbinë në rrugën drejt BE-së dhe sepse konfirmohet interesi strategjik evropian, jashtë çdo ndikimi gjeopolitik të ndonjë vendi fqinj ndaj Rusisë apo projektit neo-otoman”, ka thënë Krasniqi.
Por, sipas tij, kjo konferencë rajonale shkon përtej aspektit politik pasi ka rëndësi edhe për bashkëpunimin ekonomik të vendeve dhe ndikimin në këtë aspekt të rritjes ekonomike dhe mirëqenies së jetës së qytetarëve të secilit shtet.
Kryeministri shqiptar, u pa si me i vlerësuari në këtë samit , pasi përfaqësoi zërin e Ballkanit në konferencën përmbyllëse. Nga disa vende kjo gjë nuk u prit mirë. Por, Krasniqi thotë se nuk ka asnjë rëndësi dhe peshë ky fakt, pasi kjo ka të bëjë me një rregull të përcaktuar protokollar.
“Në botën shqiptare dhe ballkanike gjithnjë ngjarjet politike dominohen nga legjendat urbane mbi udhëheqësit e radhës. Në Berlin kryeministri i Shqipërisë, ishte i përzgjedhuri kryesor vetëm për shkak të funksionit të tij zyrtar si kryetar i radhës i iniciativës për bashkëpunimin rajonal. Në Samitin tjetër në Austri do jetë një kryeministër tjetër, vendi i të cilit do ketë kryesinë e radhës. Ky është një përcaktim protokollar, asgjë më shumë. Por, tej rastësive, të cilat gjithsesi ne si shqiptarë na bëjnë të ndjehemi mirë, në aspektin retrospektiv historik ka një korrigjim të politikës evropiane ndaj realiteteve shqiptare dy-shtetërore në rajon dhe kështu, më shumë vëmendje, më shumë vlerësim”.
Ai i bëri apel politikës së Tiranës dhe Prishtinës të bashkëpunojnë për reforma të mëdha, pasi në këtë mënyrë jetësojnë mesazhin e samitit të Berlinit.
Në këtë bisedë për KosovaPress, Krasniqi ka dhënë disa vlerësime edhe për vizitën e kryeministrit shqiptar në Serbi, i cili do ta zhvillojë atë me 22 tetor të këtij viti. Edhe pse e sheh si të nevojshme një vizitë të tilli, thotë se nuk do të sjell ndonjë ndryshim të madh në marrëdhëniet dypalëshe, por thjesht to t’i “shkrijë” këto marrëdhënie. Megjithatë, shton se Shqipëria ka një lloj detyrimi kundrejt Kosovës, duke lobuar për njohjen e saj me të gjitha vendet e rajonit dhe më gjerë.
“Dy shtetet i ndan qëndrimi ndaj Kosovës, por Tirana në konsultim me Prishtinën zyrtare, duhet të krijojë raporte dialogu me çdo shtet rajonal dhe evropian që nuk e ka njohur Kosovën, përfshirë Serbinë e Greqinë. Me siguri pjesë e bisedimeve do jetë edhe problematika e banorëve shqiptarë në Serbinë Jugore, pakica minore serbe në Shqipëri etj.”. /KP/


















































