LAJMI I FUNDIT:

Sa mirë ke bërë o Zot, që nuk e kufizove budallallëkun!

Sa mirë ke bërë o Zot, që nuk e kufizove budallallëkun!
C2T23Y Businessmen putting their heads in holes in the ground. Image shot 2011. Exact date unknown.

Kiço Blushi

Jo vetëm se pa budallenj jeta do të kishte pas qenë tepër e mërzitshme, por rrezik edhe vështirësisht e jetueshme. Monotone, pa yndyrë, pa variacion, pa surpriza e pa të papritura, me siguri, për këtë shkak – të mërzisë dhe monotonisë – një jetesë e, në daç, edhe një bashkëjetesë e kësollojtë – në kotani e në shkreti njëtrajtshmërie – do të na kishte ofruar më shumë vetmi, më pak befasi, humor e gëzim, interesa e konkurrencë, përpjekje dhe ambicie për përparim. Pse jo, edhe një botë me më shumë vetëvrasje se lindje.

Guri i famshëm që pat hedhur dikur në lumë një budalla, bëri që dyzet të mençurit e katundit të mblidhen e të kërkojnë jo gurin në lumë, por të zbulojnë formulën H2O, gjallesat, ligjet e florës e të faunës, si mund të ngjitet uji përpjetë, si mund të shndërrohet rrjedha e lumenjve në energji, madje të parakuptojmë pastërtinë apo ndotjen e ujit që pimë, para se të jetë vonë e të helmohemi…

Sepse, pa budallallëk nuk do të kishim as politikanë, as shkrimtarë, as analistë, as art, as humor, as dramë, as komedi, as televizione e gazeta, rrjedhimisht as regjisorë e aktorë, që të luanin me sukses rolet që i patën bërë të shquar, aq sa adoleshentët, nëpër kudo, të vdesin për të pasur një selfie me ta…

Raporti i vlerave me antivlerat nuk do të ishte ky që është sot, në favor të budallallëkut. Po të ishin të gjithë të mençur, nuk do të kishte asnjë mundësi që derrat, si në “Fermën e kafshëve” të Orwellit, të merrnin pushtetin e të vinin përfund shoqërinë njerëzore.

Njeriu normal nuk do të kishte asnjë mundësi të kuptonte e të zbulonte, pa shumë mundim, të vërtetën, po qe se Zoti do të na e kishte kufizuar budallallëkun, si bëri me inteligjencën… Njerëzimi nuk do të kishte shpikur shkollat, universitetet, librin, akademinë, filmin… Shoqëria nuk do të kishte nevojë për qeveri, parlament, polici, gjykata, veting… Kujtesa dhe trashëgimia nuk do të kishin këtë kuptim e vlerë universale që kanë në shoqëritë demokratike e përnjimend të civilizuara, që përparojnë edhe për shkak se shumica di për kë voton e përse voton…

Po të kufizonte budallallëkun, Zoti do të na e kishte hequr mundësinë të dallonim kufirin që ndan të mençurin me budallanë, faqeziun me të ndershmin, horrin me të drejtin, diktatorin me autokratin. Po të kishte kufizim budallëllaku, sikurse inteligjenca, ne nuk do të zgjidhnim historikisht e ciklikisht kësi sojsëzësh e delirantësh, tanimë edhe “me vota të lira dhe demokratike”…

E jo vetëm një, por disa herë…

E jo vetëm me dhunë, por edhe me duartrokitje e gëzim.

Jo, jo, nuk ka faj Zoti që budallallëku tanimë është bërë gjithëpërfshirës, një epidemi mbarëkombëtare, model i vetëm i suksesit dhe përparimit, karrierës dhe karizmës, fatit dhe shansit, aq sa një mediokër e një hiç, të cilit i lexohet injoranca, pa e hapur gojën, të bëhet pa vështirësi jo vetëm pasunar, biznesmen, por edhe i shquar, VIP, udhëheqës, sundues, arbitrar, pushtetar, kryeministër, ministër, deputet, madje edhe akademik.

Nuk paska gjë më të shpifur e më të dëmshme se një budalla i vetëgopur, i dehur me vetveten që kujton veten sipëror e kompetent për gjithçka. Ky tip, kur merr edhe pushtet, fillimisht humbet veshët, pastaj sytë e më në fund edhe atë pak arsye që i ka falur Zoti sa për të lidhur ushkurët… Një udhëheqës i tillë nuk ka rrugë tjetër veçse të shtojë zullumet, të bëhet i rrezikshëm, i papërballueshëm, i pakonkurrueshëm, mjaft që të hyjë e të mbetet në histori.

Sepse me sa ka provuar historia njerëzore, pra jo vetëm tek ne në Shqipëri e më gjerë, në trojet tona etnike, ku ne ndjehemi aq krenarë e fodullë, por edhe në botë, edhe në SHBA dhe në BE, nuk paska ndihmës më të madh e më të kollajtë për t’iu afruar së vërtetës se sa kur dëgjohen me vëmendje e madje edhe me respekt budallenjtë.

Duan nuk duan intelektualët e shquar të një kombi, janë këta, pra budallenjtë, shtytësit dhe eksploratorët e së vërtetës, lakmuesit e saktë që vërtetojnë “shkencërisht” e lehtësisht nivelin dhe rrezikun e sëmundjeve morale të çdo shoqërie normale.

Aq më tepër tani që kemi aq shumë podiume, tribuna, demagogji diarretike, gënjeshtra e mashtrime, dëgjesa publike, debate, seanca kuvendore të enjteve, kanale televizive dhe portale gjirizore nëpër internet, nevoja për të pasur e për të dëgjuar budallenjtë është bërë, duam nuk duam, buka jonë e përditshme, një domosdoshmëri ose, thënë me gjuhën e kohës, një nevojë “institucionale”, që fatkeqësisht po i jep shije dhe, pse jo, edhe kuptim përditshmërisë.

Sepse budallallëku është përherë një hap më para, dmth. në avantazh ndaj inteligjencës, ndoshta ngaqë ka më shumë guxim t’i thotë derrit dajë e të hajë jo vetëm turpin, por edhe të pëgërat e të vjellat e veta me bukë. Ca më tepër të shefave… Një sherrbudalla nuk e ka për turp e për marre të shkelë edhe mbi emrin e vet, siç druhet e matet një njeri i mençur që e ka ngritur emrin e vet me sakrificë, me dije, me dinjitet dhe djersë.

Por kush shkel mbi emrin e vet, pa u skuqur e pa u zverdhur, duke thënë edhe para kamerave, edhe para popullit të kundërtën e asaj që kanë pas mbrojtur një ditë më parë, nuk ka ngurrim, as cipë në ballë, as ndërgjegje të bëjë të pabërën. Përkundrazi, ai që shkel edhe mbi emrin e vet ofrohet me entuziazëm të shkelë e të shesë për hiçmosgjë dinjitetin vetjak, kurrsesi nuk mund të mbrojë interesin publik, një kauzë të drejtë, aq më pak një ideal, apo ca më pak, një pronë publike, siç është Teatri Kombëtar për të cilin po flitet aq shumë…

Ja pra përse malli që kushton më pak dhe vlen më shumë sot është budallallëku.

Prandaj nuk duhet bërë me faj Zoti që nuk e ka kufizuar budallallëkun.

Sepse ai na ka dalë borxhit, dmth na ka krijuar mundësinë e kollajllëkun të kuptojmë më mirë e më drejt veten, njëri-tjetrin, shoqërinë ku jetojmë…

Në trend

Më shumë

"Unë thjeshtë dua të luaj futboll" - Vini Jr me një gjest të shëmtuar në miqësore, Laporte tallet me të pas ndeshjes

La Liga
I pyetur nga Bundesliga se cilit person të famshëm ia ka numrin e telefonit - Xhaka zgjodhi legjendën e futbollit

I pyetur nga Bundesliga se cilit person të famshëm ia ka numrin e telefonit - Xhaka zgjodhi legjendën e futbollit

Bundesliga
'Mallkimi Kate Middleton': Princesha ishte shtrirë në spital edhe në vitin 2012, infermierja e saj bëri vetëvrasje pak kohë pasi zbuloi pa dashje gjendjen e saj

'Mallkimi Kate Middleton': Princesha ishte shtrirë në spital edhe në vitin 2012, infermierja e saj bëri vetëvrasje pak kohë pasi zbuloi pa dashje gjendjen e saj

Magazina
Arabia Saudite merr pjesë për herë të parë në

Arabia Saudite merr pjesë për herë të parë në "Miss Universe", bukuroshja Rumy Alqahtani do t'i përfaqësojë në garën e bukurisë

Magazina
Një i vrarë dhe një i plagosur me armë zjarri në Prishtinë

Një i vrarë dhe një i plagosur me armë zjarri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Zbulohet se sa do të jetë

Zbulohet se sa do të jetë "kostoja ditore" nga shembja e urës në Baltimore

Amerika
Kalo në kategori