Rukiqi: Rikthimi i partneritetit strategjik me SHBA-të është kyç për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi, bashkë me kryetarin e partisë, Lumir Abdixhiku, ka pritur të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Anu Prattipati.
Rukiqi theksoi se rikthimi në një partneritet të plotë strategjik me SHBA-të mbetet thelbësor për të ardhmen e Kosovës dhe për përshpejtimin e rrugëtimit drejt anëtarësimit në NATO.
“Rikthimi në një partneritet të plotë strategjik me SHBA është jetik për të ardhmen tonë. Me lidershipin amerikan dhe me angazhimin e Presidentit Trump, ne mund ta përshpejtojmë rrugën tonë drejt qëllimit historik: anëtarësimit të Kosovës në NATO”, deklaroi Rukiqi.
Ai gjithashtu potencoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët amerikanë në sektorin e energjisë, duke nënvizuar nevojën për ndërtimin e një centrali me gaz amerikan për të reduktuar varësinë nga importi i energjisë nga Serbia.
“Bashkë me aleatët tanë amerikanë, ne duhet ta ndërtojmë centralin me gaz amerikan, për t’i dhënë fund varësisë miliardëshe nga importet e rrymës me origjinë në Serbi”, shtoi ai./Telegrafi/

















































