LAJMI I FUNDIT:

Rukiqi kundërshton propozimin e VV-së: Ndërhyrja në treg është antikushtetuese

Rukiqi kundërshton propozimin e VV-së: Ndërhyrja në treg është antikushtetuese

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka reaguar pasi Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje propozoi të enjten në Kuvend që të iniciohet projektligji që përcakton marzhën e fitimit për produktet bazë.

Rukiqi e ka kundërshtuar këtë propozim duke thënë se ndërhyrja në treg është e papranueshme dhe antikushtetuese.


“Është presedan jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe ka për synim të mbulojë paaftësinë në menaxhim të krizës me çmime. Për të menaxhuar një krize, fillimisht duhet ta pranosh që ka krizë”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, nëse ka atyre që manipulojnë me çmime në treg dhe dëmtojnë konkurrencën, atëherë Qeveria duhet t’i luftojë të njëjtit, “por jo ta mbysësh krejt tregun”.

“Norma më të ulëta të TVSH-së, për disa produkte bazë dhe subvencionimi i një pjese të shpenzimeve të transportit janë masa fillestare për adresimin e krizës aktuale”.

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka propozuar të enjten në Kuvend që të iniciohet projektligji që përcakton marzhën e fitimit për produktet bazë, ka bërë të ditur shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Ajo ka deklaruar se nëse reduktohet TVSH-ja, sipas kërkesës së opozitës, të hyrat nga Administrata Tatimore e Kosovës do të ndikohen dhe do të ketë ulje dhe më pak të hyra për fondet për shpërndarje. /Telegrafi/