LAJMI I FUNDIT:

Rukiqi: Kosova duhet të mbroj tregun, të jemi më të zëshëm ndaj barrierave jo-tarifore

Rukiqi: Kosova duhet të mbroj tregun, të jemi më të zëshëm ndaj barrierave jo-tarifore

Qeveria në detyrë e Kosovës ka votuar për heqjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës dhe zëvendësimin e saj me masën graduale të reciprocitetit tregtar ndaj Serbisë.

Vendimi obligon që në marrëdhëniet me Serbinë, emërtimet te certifikatat fitosanitare dhe veterinare të përdoren në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.


Ky vendim do mbetet në fuqi deri më 15 qershor 2020, kur do të bëhet vlerësimi i zbatimi të tij.

Lidhur me këtë vendim, kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi ka thënë se, Kosova tani e tutje duhet të jetë shumë e zëshme dhe argumentues në adresimin e barrierave jo-tarifore, shkruan Telegrafi.

Çfarë përfshinë vendimi për heqjen e taksës 100 për qind dhe vendosjen e reciprocitetit me Serbinë? (Dokument)
Lexo po ashtu Çfarë përfshinë vendimi për heqjen e taksës 100 për qind dhe vendosjen e reciprocitetit me Serbinë? (Dokument)

Rukiqi me anë të një shkrimi në Facebook, tregon se tarifa 100 për qind ka fuqizuar ndërmarrjet prodhuese dhe ka mundësuar ngritjen e vetëdijes së konsumatorit për t’i zëvendësuar produktet serbe dhe boshnjake.

“Kosova tani e tutje duhet të jetë shumë e zëshme dhe argumentuese në adresimin e shumë barrierave jo-tarifore që ekzistojnë me Serbinë dhe Bosnjën. Kosova duhet të mbroj tregun në çdo rast kur të tjerët veprojnë jashtë rregullave të lojës, qoftë me dumping, qoftë me subvencionim të eksporteve. Në të gjitha këto raste duhet automatikisht të merren masa adekuate bazuar në ligjet që i kemi në fuqi”, shkruan Rukiqi, përcjell Telegrafi.

Ndryshe, tarifën doganore 100 për qind e kishte vendosur qeveria e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, në nëntor të vitit 2018.

Tarifa 100 për qind për importet nga Serbia ka ndikuar që dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërpritet.

Kundër kësaj takse, që nga vendosja e saj, ishin deklaruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, pasi që nga ajo kohë, dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë ishte ndërprerë. /Telegrafi/