Rubio do të diskutojë fatin e 'koalicionit të vullnetarëve' me homologët francezë dhe britanikë

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe të dërguarit e posaçëm presidencial Steve Witkoff dhe gjenerali në pension Keith Kellogg, do të qëndrojnë sot dhe nesër në Paris për të diskutuar përpjekjet e përbashkëta për fillimin e bisedimeve të paqes midis Ukrainës dhe Rusisë, si dhe fatin e "koalicionit të të gatshmëve", një mision i udhëhequr nga Britania e Madhe dhe Franca.
Siç raporton Kyiv Post, zyrtarët folën në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar të diskutonin këtë çështje publikisht, transmeton Telegrafi.
Departamenti i Shtetit njoftoi zyrtarisht të mërkurën udhëtimin e Rubio dhe Witkoff në Paris, duke vënë në dukje, pa detaje, se ata do të zhvillojnë bisedime me partnerët evropianë për të promovuar planin e presidentit të SHBA, Donald Trump për t'i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë dhe ndalimin e gjakderdhjes.
Dyshes iu bashkua gjithashtu Kellogg në Paris teksa u larguan nga Uashingtoni të mërkurën në mbrëmje, thanë zyrtarë të lartë për Kyiv Post.
Delegacioni pritet të takohet me diplomatë të lartë të Francës dhe Britanisë së Madhe në Paris, së bashku me partnerë dhe liderë të tjerë, thanë burimet.
“Pyetja kryesore është se si të kapërcejmë hendekun midis strategjisë dhe ekzekutimit dhe të arrijmë qëllimet tona të paqes, dhe, natyrisht, çfarë të bëjmë me koalicionin e vullnetarëve”, tha një zyrtar i Trump për Kyiv Post përpara bisedimeve në Paris.
Administrata Trump nuk ka marrë kurrë pjesë në takimet e koalicionit, pavarësisht sugjerimeve nga disa liderë aleatë, përfshirë kryeministren italiane Giorgia Meloni, e cila do të takohet me Trump sot në Uashington.
Disa diplomatë evropianë theksuan rëndësinë e koalicionit gjatë bisedave të tyre me Rubion në një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s, i cili u zhvillua në Bruksel në fillim të këtij muaji.
"Ne nuk mund të flasim vërtet për ato diskutime [brenda] koalicionit", i tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit korrespondentit të Kyiv Post gjatë takimit. /Telegrafi/



















































