Ruben Amorim zbulon arsyen e vërtetë pse Onana dhe Hojlund nuk u ftuan për duelin ndaj Arsenalit

Ruben Amorim ka shpjeguar arsyet pse la jashtë skuadrës Andre Onanan dhe Rasmus Hojlund për ndeshjen kundër Arsenalit, në një kohë kur spekulimet rreth të ardhmes së të dyve po intensifikohen.
United e nisi mbrëmë (e diel) sezonin e ri me një përballje në “Old Trafford” ndaj Arsenalit, por as Onana e as Hojlund nuk ishin pjesë e listës së ndeshjes.
Amorim vendosi t’i besojë Altay Bayindirit në portë, ndërsa treshja sulmuese përbëhej nga Matheus Cunha, Mason Mount dhe Bryan Mbeumo.
Tom Heaton ishte në stol si portier rezervë, ndërsa Benjamin Sesko dhe Joshua Zirkzee ishin alternativat në sulm.
Si Onana ashtu edhe Hojlund ishin të pranishëm në “Old Trafford” për të ndjekur nga tribuna bashkëlojtarët e tyre, megjithëse nuk ishin të përfshirë në ndeshje.
Duke folur për Sky Sports para fillimit të sfidës, Amorim shpjegoi vendimin për të mos përfshirë asnjërin prej tyre në planet e tij për këtë ndeshje.
Onana kishte pësuar një dëmtim në muskujt e pasmë të kofshës që e kishte penguar gjatë fazës përgatitore, dhe portieri kishte zhvilluar vetëm disa seanca stërvitore para ndeshjes së sotme.
Amorim konfirmoi se Onana tashmë është rikuperuar nga dëmtimi, por shtoi se portierët e tjerë kishin bërë paraqitje shumë të mira gjatë përgatitjeve, prandaj kishte zgjedhur Bayindirin për këtë takim.
"Është një zgjedhje. Ne përpiqemi të zgjedhim lojtarët më të mirë për çdo ndeshje. Java tjetër është tjetër histori, këtë javë zgjodhëm këta lojtarë”.
Ai (Onana) është rikuperuar, por djemtë e tjerë ishin shumë të mirë gjatë përgatitjeve, kështu që duhet të balancoj këtë gjë”, ka thënë Amorim./Telegrafi/











































