Ekziston një perceptim ose një pikëvështrim që thotë që fjala e lirë në Kosovë varet nga mirëqenia e mediumit publik, Radio dhe Televizionit të Kosovës (RTK). Në këtë kuadër, mendimtarët e tillë thonë që RTK duhet të financohet, bile ai financim të jetë më shumë se nga një burim (tatimpaguesit e Kosovës), se RTK duhet të ketë reklamime pa kufizim kohor e sasior, se RTK duhet të ketë pavarësi editoriale nga jashtë, e çka jo tjetër. Pra, kështu e masin këta mendimtarë fjalën e lirë në Kosovë, përmes mirëqenies së RTK-së.

Por, këta mendimtarë duhet të gjejnë pak kohë dhe të shikojnë gjërat nga pikëvështrimi i anasjelltë: fjalën e lirë në Kosovë po e mbytë RTK-ja. Sepse matja e fjalës së lirë me mirëqenien e RTK-së po del sikur tentohet të matet universi me metër. Sido që të bëjnë këta mendimtarë, nga tash e tutje, për vete, pasi i takoj kësaj fushe, më duhet të ofrojë një sugjerim: se sa më e çliruar të jetë RTK-ja, aq më e zhvilluar do të jetë fjala e lirë këtejpari. Ka shumë koncepte mbi “mediumin publik” dhe “fjalën e lirë”, por përqendrimi këtu është vetëm gazetaria, pra informimi.


Për tërë këto dhjetë vjet, RTK nuk qëndroi asnjëherë në anën e publikut, pra nuk ishte në anën e qytetarëve të Kosovës. Ajo vazhdimisht ishte në anën tjetër. Ose, ishte në secilën anë përveç në anën e qytetarëve. Qëndrimi kundër qytetarëve të Kosovës për informim nuk u bë dhe nuk po bëhet për shkak të kërkesave të politikës (cilësdo parti ose Qeveri), por për shkak të dobive financiare të RTK-së në mënyrë që punëtorët e saj, përkundër dështimeve profesionale, të vazhdojnë të jetojnë komod.

Kjo mënyrë e të jetuarit “komod” shkaktoi që fjala e lirë në Kosovë të mos ketë as shansin e vetëm të zhvillohet ndonjëherë, pra të themelohet, rritet dhe shpërndahet. Sipërfaqja territoriale e Kosovës mbeti e mbuluar (në fakt, e pushtuar) nga vetëm tri televizione dhe disa gazeta të cilat ndërrojnë qëndrimin politik në vazhdimësi ose biznesin prej nga vijnë. Ndërsa, radiot vazhdojnë të përdoren si mjet valor për të treguar barsoleta.

RTK duhet të çlirohet nga vetvetja, RTK duhet të ketë profesionalizëm në programet e veta, RTK duhet t’i përshtatet tregut të punës, RTK duhet të respektojë sistemin politik të quajtur demokraci sepse nuk jemi në monizëm, RTK duhet të mësojë të notojë në oqeanin medial ku çdo gjë duhet të varet nga puna e jo nga statusi dhe nga shtrëngimet dhe detyrimet për tatimpaguesit.

Kosova nuk do të mund të krijojë konceptin gazetaresk dhe politik të vendimit të informuar përderisa të gjithë, analistë, publicistë, politikanë dhe shoqëri civile, hiqemi sikur asgjë nuk po ndodhë. Sa më e varur të jetë RTK-ja nga tregu i lirë i punës, aq më e pavarur do të jetë profesionalisht në çdo aspekt, sa më e pasur të jetë RTK më punëtorë-gazetarë, aq më shumë dobi financiare dhe kreative do të ketë.

Si shoqëri, e dimë që Këshilli i Pavarur i Mediave (kështu diçka) është nën drejtimin e disa njerëzve që nuk e njohin gazetarinë. Prandaj, si individë, si shoqëri civile dhe, pse jo, edhe si politikanë, duhet të reagojmë sepse fati jonë, nën kushtet e një shoqërie globale të bazuar në informim, është në duart e njerëzve që nuk e kanë idenë se çfarë të bëjnë me gazetarinë në Kosovë.

Shoqëria e Kosovës vazhdon të jetojë nën kurthin perceptues se RTK është (ose duhet të jetë) televizion i pavarur, i financuar shumëfish dhe me pavarësi editoriale. Krejt e dimë që këto janë dokrra e pallavra. Sidomos ne që i takojmë këtij zanati.

RTK nuk duhet të mbyllet por duhet të jetë praktikisht, faktikisht, financiarisht dhe profesionalisht e pavarur – ajo duhet t’i lëshohet tregut të punës. Në të njëjtën kohë, KPM duhet të vendos të zgjerojë tregun e mediave televizive nga tre sa janë aktualisht në mbi njëzetë, në mënyrë që publiku, shoqëria jonë, të informohet shumëkahshëm.