LAJMI I FUNDIT:

Rrustemi: Mashtrohen që mund t’i marrin nën kontroll sindikatat duke i varfëruar materialisht

Rrustemi: Mashtrohen që mund t’i marrin nën kontroll sindikatat duke i varfëruar materialisht
Foto: Arkiv

Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Financave, po vështirëson financimin e shoqatave sindikale në vend, pasi përmes një urdhri ekzekutiv ka pamundësuar ndaljen e parave të punëtorëve për kuotizim (paratë për anëtarësi) sindikale.

Naim Rrustemi,  kryetar i Shoqatës Sindikale të Administratës se Gjykatës Themelore në Prishtinë, po konsideron se mos ndalesa e kuotizmit sindikal nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, është ndërhyrje direkte në Statutet e Shoqatave Sindikale dhe Vendimet e Certifikatat e biznesit të cilat i ka lëshuar Departamenti mbi Organizimin Sindikal në kuadër të MPMS-së.


Rrustemi duke thënë se shpreson që kjo të mos jetë një ndërhyrje politike, nëpërmjet një komunikate për media ka shtruar një varg pyetjesh për Thesarin lidhur me këtë çështje.

“Pse Thesari të ndërhyjë mbi organizatat sindikale? Me çfarë të drejte i shkel vendimet e MPMS-së për regjistrimin e Shoqatave Sindikale? Me çfarë të drejte nuk e njeh anëtarësinë e Shoqatave Sindikale kur ata një nga një i kanë plotësuar e nënshkruar formularët e dhënë nga MPMS-së? Kush i ka dhënë te drejtën që t’i regjistrojë sindikalistët? Nëse arsyetimi është se po reduktohet stafi i administratës dhe ofrimi i punës digjitale, ky është një mashtrim që nuk ka kurrfarë vlere për shitje. Nëse ata munden që për një kohë mos ta kryejnë pagesën e kuotizmit, mashtrohen që mund t’i marrin nën kontroll sindikatat duke i varfëruar materialisht. Ne do i shfrytëzojmë gjithë mekanizmat ligjor për t’i dhënë sqarim këtij veprim jo të mirë nga MFPT-së”, thuhet në komunikatë, raporton kp.

Me anë të një njoftimi nga MFPT javë më parë është thënë që anëtarët e secilës sindikatë obligohen që të regjistrohen në platformën elektronike shtetërore “e-Kosova”, në mënyrë që të paguajnë anëtarësinë në sindikatën përkatëse.