LAJMI I FUNDIT:

Rruga e zorit

Rruga e zorit

Ikja e shqiptarëve të Kosovës po vazhdon. Pamje shqetësuese po shohim çdo natë në televizor se si po mbushen autobusët përplot me qytetarë, duke marrë rrugën e zorit për në vendet e Perëndimit.
Derisa në vitet e ‘90-ta shqiptarët janë larguar nga Kosova për shkak të dhunës dhe represionit serb, tanimë në vitin 2014 po ikin nga zori për shkak të varfërisë së madhe e cila çdo ditë e më tepër vetëm po rritet.

Me rritjen e varfërisë dhe pamundësisë së gjetjes së një vendi pune, ikja nuk shihet si dëshirë, por si nevojë për të mbijetuar.


Shumica e të rinjve, të lodhur nga korrupsioni, krimi, papunësia dhe nga hendeku i krijuar në mes të qytetarëve të varfër dhe politikaneve të pasur, të cilëve çdo ditë e me tepër po u shtohet pasuria në kurriz të qytetarëve, kanë zgjedhur rrugën plotë rreziqe, vetëm e vetëm qe të ikin nga shteti i milionerëve.

Ketë herë ata po ikin për të mos u kthyer, sepse shpresë të vetme po e shohin Perëndimin.

Kosova pas shpalljes së pavarësisë radhitej si një ndër vendet me optimiste në Evropë, ndërsa tani me migrimin e qytetarëve të saj, ai optimizëm, ajo shpresë është venitur.

Sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme, vitin e kaluar nga Kosova kanë ikur mbi 17 mijë kosovarë, të cilët janë regjistruar si azilkërkues në vendet e Bashkimit Evropian. Ketë vit trendi i ikjeve ilegale drejtë Hungarisë, përmes Serbisë, dhe shpërndarja në vendet e ndryshme të BE-së padyshim qe është dyfish me i madh.

Vendet e BE-së në këto ditë dimri po bëjnë vendosjen e këtyre qytetarëve nëpër kampe dhe kësisoj ata nuk po mund t’i realizojnë dëshirat dhe qëllimet për të cilat edhe kanë shkuar.

Institucionet tanimë kanë një problem tjetër, që mos këta qytetarë, të cilët kërkojnë azil në vendet e BE-së do t’ua vonojnë liberalizimin e vizave.

Institucionet e vendit tonë nuk duhet të qajnë kokën për liberalizimit e vizave, aq sa do të duhej të kenë hallin e këtyre qytetarëve qe po kin nga zori, sepse jetët e qytetarëve janë me të rëndësishme se gjithçka tjetër.

Qeveria e vendit tonë do të duhej në mënyrë urgjente të dal me plan konkret dhe preventiv, në mënyrë qe të ndal migrimin, ama jo duke ua ndaluar qytetarëve lirinë e lëvizjes, sepse liria e lëvizjes është e drejtë fondamentale dhe universale e cila garantohet me akte me të larta ndërkombëtare, por duke krijuar kushte dhe politika të favorshme për hapjen e vendeve të reja të punës dhe rrjedhimisht edhe liberalizimi i vizave do të mund jetësohej.

Nëse është ndonjë popull në pjesën e Evropës juglindore i cili vazhdimisht ka vuajtur, atëherë ai është populli shqiptar dhe a thua deri kur do të vuajë?

Andaj është koha e fundit qe të veprohet në mënyrë konkrete dhe të ndalen vuajtjet e popullit shqiptar.

Të nderuar përfaqësues të popullit, qytetarët nuk kanë nevojë për premtime, as për Task Forca, por me tepër se kurrë kanë nevojë për punë.

Nëse dikur kemi treguar patriotizmin në luftë duke luftuar, sot mund të tregojmë patriotizëm qytetarëve duke ju ndihmuar, sepse e kemi obligim moral, njerëzor dhe kombëtar.

Ta ndalim migrimin, sepse duke e ndalë migrimin e mbrojmë popullin dhe vendin tonë.