Rritje e vizitorëve në hotelet e Kosovës – dominon turizmi i huaj

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar raportin mujor për Statistikat e Hotelerisë, i cili tregon se sektori hotelier në vend ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë tetorit 2025 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Gjatë tetorit 2025, hotelet në Kosovë regjistruan 60 737 vizitorë, duke shënuar një rritje prej 5,5% në krahasim me tetorin 2024, kur u regjistruan 57 568 vizitorë.
Nga numri total i vizitorëve:
40,2% ishin vendorë
59,7% ishin të huaj
Po ashtu, numri i net-qëndrimeve arriti në 142 672, ku 48,1% i takojnë vizitorëve vendas dhe 51,9% atyre të jashtëm.
Sa i përket vizitorëve të brendshëm, Rajoni i Pejës kryeson listën me:
7 878 vizitorë vendorë
29 160 net-qëndrime
Kjo e konfirmon Pejën si një nga destinacionet më të kërkuara të turizmit të brendshëm, kryesisht për bukuritë natyrore dhe ofertën malore.
Numri i vizitorëve të jashtëm në tetor 2025 arriti në 36 283, çka përbën një rritje prej 5,2% krahasuar me tetorin e vitit 2024.
Shtetet nga të cilat kanë ardhur më së shumti vizitorë mbeten të njëjtat me vitet paraprake:
Shqipëria
Gjermania
Zvicra
Turqia, ndër të tjera.
Ky trend konfirmon rritjen e vazhdueshme të interesimit të turistëve ndërkombëtarë për Kosovën, si destinacion me potencial në rritje./Te
















































