Pavarësisht se është raportuar se vaji i palmës është i dëmshëm për shëndetin, importi i tij, për në vendin tonë nuk ka të ndalur. Sipas statistikave nga Dogana e Kosova, vetëm për gjashtë muajt e parë të vitit 2018, janë importuar afër 1.5 milion kilogram vaj palme. Rritja e importit të vajit të palmës, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2017, mund të jetë edhe nga mos marrja e masave adekuate nga institucionet përkatëse në Kosovë.

Drejtues të Shoqatës së Qumështorëve, kanë thënë se shumica e vajit të palmës përfundon në produktet e qumështit.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë se vaji i palmës ka vazhduar të importohet edhe në pjesën e parë të këtij viti në sasi të konsiderueshme.

“Në periudhën 1 janar 30 qershor 2018, janë importuar 1,484,145.85 kilogram në vlerë prej 1,135,320.86 euro”, tha ai.

E gjatë gjithë vitit 2017, janë importuar rreth 2.5 kilogram vaj palme. “Gjatë vitit 2017 janë importuar vaj palme për në Kosovë, në shumë prej 2,453,867.05 kilogramë me një vlerë prej 2,137,112.71 eurove”, ka bërë të ditur zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci.

Vendet prej nga importohet vaji i palmës ka treguar ai janë: Kina, Gjermania, Italia, Holanda, Indonezia, Malajzia, Bosnja e Hercegovina, Pakistani, Maqedonia dhe Serbia

Kurse, kryetari i Shoqatës së Qumështorëve të Kosovës, Ramadan Memaj, ka thënë se kanë dyshime se janë duke u importuar sasi të mëdha të vajit të palmës.
Sipas tij, vaji i palmës është duke përfunduar në produktet e qumështit. “Dyshimet tona janë se në Kosovë ka import shumë të madh të vajit të palmës, të vërtetuar edhe me informacione zyrtare vit pas viti ashtu siç është faktuar se ky vaj përfundon në masë të madhe në produkte të qumështit me emra dhe paketime të ndryshme”, tha Ramadan Memaj.

Selatin Kaçaniku nga Organizata “Konsumatori”, ka thënë se institucionet nuk po bëjnë mjaftë për të ruajtur shëndetin e qytetarëve.
“Nuk po shoh dhe nuk po bindem se po e bëjnë maksimumin. Ka kohë që vaji i palmës ka arritur edhe deri te gjiza. Madje ky vaj i shtohet edhe çokollatave dhe të gjitha konditorive. Ai është edhe te biskotat, djathi, ‘hopla’, kosi, qumështi”, tha Kaçaniku.

Sipas tij, ka raste kur vajrat bimore nuk deklarohen se janë në përmbajtjen e produktit. “Jo në të gjithë artikujt ushqimor deklarohet prania e vajit të palmës. Në disa prej tyre prania deklarohet me shifra që pak kush prej qytetarëve i kuptojnë ose deklarohet vetëm si vaj bimorë”, ka thënë drejtuesi i Organizatës “Konsumatori” Selatin Kaçaniku.

Kurse zyrtarët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), pavarësisht se e kanë për obligim ligjorë që të kujdesen për sigurinë e produkteve që i konsumojnë nuk janë deklaruar rreth importit dhe përdorimit të vajit të palmës në vendin tonë. /Telegrafi/