LAJMI I FUNDIT:

Rriten udhëtimet me aeroplan

Rriten udhëtimet me aeroplan

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Transportit dhe Telekomunikacionit” për tremujorin e katërt të vitit 2016, me të dhëna për transportin ajror dhe hekurudhor.

Përmes këtij publikimi janë prezantuar të dhëna për territorin e Kosovës, si vijon: gjithsej 333 km binarë hekurudhorë për transport dhe 110 binarë hekurudhorë privatë. Ndërsa, qarkullojnë 8 lokomotiva disel, të cilat bartin 27 vagonë: 9 të udhëtarëve dhe 18 për bagazh.


“Në tremujorin e katërt të vitit 2016, numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi është 64 mijë, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2016, numri i udhëtarëve është ulur për 8.80 për qind”, ka njoftuar AKS-ja.

Sipas raportit, transporti i mallrave me tren, në tremujorin e katërt të vitit 2016, është 133 mijë tonë, ku në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM4 2015) ka pasur ulje për 15.80 për qind. Ndërsa, sa i përket numrit të fluturimeve në tremujorin e katërt (TM4) të vitit 2016, del se ishte 1 564, ose 12.76 për qind më shumë se në tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM4 2015).

“Numri i udhëtarëve, që kanë shfrytëzuar aeroplanin si mjet transporti, ishte rreth 394 mijë, në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM4 2015), ku ka një rritje për 18.60 për qind”, bën me dije AKS. /Telegrafi/